TIRANË- Është festuar sot 25-vjetori i krijimit të një prej strukturave më të rëndësishme të Forcave tona të Armatosura, siç është Policia Ushtarake, e cila ka mision sigurimin dhe ruajtjen e pjesëtarëve dhe pasurive ushtarake, mbajtjen e rregullit dhe disiplinës dhe zbulimin e veprave penale ushtarake.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e kësaj njësie, ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantë të forcave, deputetë të Kuvendit, ish – drejtues të PU dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e saj ministrja Kodheli e konsideroi Policinë Ushtarake si një nga strukturat elitare të FA dhe vlerësoi punën dhe misionin e saj përgjatë këtyre 25 viteve, ku veçoi angazhimin e kësaj njësie gjatë luftës në Kosovë.
“Duke hedhur vështrimin në historinë 25- vjeçare, shohim se të gjithë kemi shumë arsye të ndihemi krenarë me sukseset e arritura. Angazhimi i Policisë Ushtarake gjatë luftës së Kosovës ishte ‘kudhra’ që e kaliti këtë njësi cilësore pasi ajo mbajti barrën e pritjes, shoqërimit, ruajtjes dhe kujdesit për refugjatët në kampet e ngritura për ta”,- tha ministrja Kodheli.
Ajo gjithashtu vlerësoi kontributin e Policisë Ushtarake në misionet jashtë vendit, si dhe përmendi modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve që kjo strukturë ka pësuar vitet e fundit.
“Ajo është sot një nga strukturat më elitare të Forcave tona të Armatosura që merr pjesë jo vetëm në operacione brenda vendit por edhe në menaxhimin e krizave botërore përkrah aleatëve. Vitet e fundit pajisja dhe modernizimi i Policisë Ushtarake ka përmirësuar dukshëm kapacitetet duke e pajisur këtë njësi me armatim, mjete dhe teknologji bashkëkohore”, u shpreh ministrja Kodheli, e cila falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen, si dhe vlerësoi angazhimin e Policisë Ushtarake gjatë emergjencave.
Më tej ajo shprehu vullnetin e saj për të vijuar mbështetjen për këtë strukturë edhe me investime konkrete.
“Si ministre e Mbrojtjes do vijoj të mbështes me të gjitha mundësitë Policinë Ushtarake sikurse dhe forcat e tjera me qëllim lartësimin e tyre në përmbushje të detyrimeve tona ndaj atdheut. Falë investimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, këtë vit është planifikuar plotësimi i kësaj trupe edhe me mjetet e blinduara të transportit”,- tha ministrja Kodheli, e cila e mbylli fjalën e saj duke uruar gjithë pjesëtarët e Policisë Ushtarake, por në veçanti ata që prej dy muajsh janë të dislokuar në operacionin “Resolute Support Mission” në Kabul të Afganistanit.
Në përfundim, ministrja Kodheli dorëzoi për dy nga ish- drejtuesit e Policisë Ushtarake gjeneral brigade në pension Bajram Malaj dhe kolonel në rezervë Piro Lutaj “Medaljen e mirënjohjes”, për lartësimin e figurës së ushtarakut, ndërkohë që zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Dedë Prenga e vlerësoi këtë njësi me medaljen “Repart i Shquar”.
(m.k/BalkanWeb)