U zhvillua sot në Katedralen Ngjallja e Krishtit në Tiranë ceremonia e fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Joan Pelushi si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij grek, si dhe delegacione nga 13 Kishat Ortodokse të botës. Të pranishëm në ceremoni ishin kreu i Shtetit, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, kreu i PD-së, Sali Berisha, deputetë dhe politikanë të mazhorancës dhe opozitës. Të pranishëm ishin, gjithashtu, ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias dhe ministrja e Arsimit, Sofia Zacharaki.

Para klerikëve shqiptarë e ndërkombëtarë dhe besimtarëve ortodoksë, Presidenti i Republikës uroi Fortlumurinë e tij Joan për ngjitjen në fronin më të lartë të Kishës, duke e quajtur këtë ditë si historike për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.

“Vazhdoftë denjësisht udhën e Fan Nolit, Anastasit dhe gjithë paraardhësve të Tij! Përmbushtë me ndriçim, hir e urtësi misionin e Tij hyjnor si bari i grigjës së besimtarëve ortodoksë, në shërbim të njerëzve, jetës shpirtërore, lumturisë dhe harmonisë”, ka uruar kryeparlamentarja Spiropali.

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Joan në fjalën e tij u shpreh se forcimi i unitetit brenda kishës është nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj. Fortlumturia e tij nënvizoi se diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por jo zemrat e besimit.

“Falenderojmë dhe nderojmë martirët e lirisë që përhapën dritën e besimit në trevat ku jetojmë, një listë e gjatë të cilën do ta kujtojmë me nderim e mirënjohje. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX kisha u përball me persekutimin e egër komunist. E gjitha infrastruktura materiale e shpitërore u shkatërruar pjesërisht apo plotësisht. Kishat e shkatërruan nga themelet (…) Diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por nuk mundi të shkatërrojë zemrat e besimit. Në kohë kritike Perëndia vizitoi kishën tonë, nderoj kujtimin e paraardhësve të mi, në listën e gjatë përmend dy personalitete të shquara. Im Zot Fan Noli, ishte njeriu i duhur. Ai ishte pajisur nga perëndia me talente të jashtëzakonshme, dha kontribut për ndërgjegjësimin kombëtar. Në kohë rekord ai pajisi kishën me librat kryesorë”, tha ai.

Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joan, shpalosi shtatë shtylla themelore të misionit të tij të ri: ruajtjen e Traditës së Shenjtë, forcimin e unitetit brenda Kishës, ruajtjen e ekuilibrit midis “Ungjillit të Mbretërisë” dhe “Ungjillit Social”, mbrojtjen e vlerave të martesës dhe të familjes, ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, inkurajimin e të rinjve për të dashur atdheun e tyre dhe për të mos e braktisur atë, si dhe kultivimin e marrëdhënieve me të gjitha Kishat dhe bashkësitë e tjera fetare.

“Personalisht do të përpiqem me gjithë fuqinë time t’i shërbej grigjës që më është besuar nga Perëndia, duke pasur gjithmonë parasysh fjalët e Zotit se ‘Biri i njeriut nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer’,” përfundoi Fortlumturia e Tij.

Nesër Kryepeshkopi i ri Joan do të mbajë shërbesën e tij të parë si kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërkohë që pritet të emërojë pasardhësin e tij në Mitropolinë e Korçës, ku ka shërbyer që prej vitit 1998.

Imzot Joani pason në detyrën e kryepeshkopit, Hirësinë e tij Anastas, i cili ndërroi jetë në janar të këtij viti në moshën 95 vjeçar. Zgjedhja e një kryepeshkopi shqiptar për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë  ishte një nga amanetet e kryepeshkopit të ndjerë Anastas.

***
Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joan ka lindur në Tiranë në vitin 1956. Ai u pagëzua fshehurazi në vitin 1979, gjatë periudhës së persekutimeve, nga atë Kozma Qirjo, i cili më vonë u bë Peshkopi i Apolonisë. Ka ndjekur studimet në degën e Psikologjisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Fakultetin Teologjik të Kryqit të Shenjtë në Boston, ku u dallua për rezultatet e tij të shkëlqyera. U dorëzua dhjak dhe prift në vitin 1994, ndërsa në vitin 1998 u zgjodh Mitropolit i Korçës, detyrë të cilën e mbajti për njëzet e shtatë vjet, duke zhvilluar një veprimtari të pasur baritore, shpirtërore dhe shoqërore. Ka përfaqësuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në shumë konferenca dhe dialogë ndërorthodhoksë dhe ndër të krishterë dhe ka shkruar e përkthyer një sërë veprash teologjike në gjuhën shqipe.

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb