TIRANË

Janë zbardhur emrat e anëtarëve të Komisionit Hetimor të ngritur për ministrin e Jashtëm të deleguar, Gent Cakajn në lidhje me certifikatën e tij të sigurisë të lëshuar nga DSIK-ja.

Ky komision do të drejtohet nga deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe anëtarët do të jenë ; Ervin Salianji, Luan Rama si dhe Xhemal Gjunkshin.

Ngritja e këtij komisioni u kërkuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe kjo kërkesë gjeti mbështetje të menjëhershme nga dy partitë opozitare PD dhe LSI.

Komisioni do të hetojë edhe disa çështje të cilat lidhen me verifikimi i ligjshmërisë  së pajisjes së Ministrit të deleguar të Jashtëm, Gent  Cakajt me “certifikatë sigurie” nga DSIK; roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit në shkeljen e procedurave; arsyet e moszbatimit të ligjit nga Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar Cakajn të administrojë pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie”.

Propozimi i emrit të Gent Cakajt shkaktoi përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë, ndërsa retorika u acarua edhe më tej kur Meta nuk dekretoi Cakajn në krye të ministrisë së Jashtme.

Ky mohim detyroi shefin e qeverisë të ndërmarrë veprime të tjera duke propozuar emrin e vet si ministër i Jashtëm deri në funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese, ku Rama pretendon se Presidenti Meta ka shkelur kushtetutën duke mos dekretuar Cakajn si pasuesin e Ditmir Bushatit.

Një ditë pasi Rama u dekretua nga Meta në krye të ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme ia delegoi Cakajt detyrën duke rikujtuar edhe “betejën”, e cila do të zhvillohet me Metën për shkeljen e kushtetutës.  Fjalën e fundit për këtë çështje do ta japë Gjykata Kushtetuese.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: