TIRANE

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i bëri thirrje Prokurorisë të vijojë hetimet dhe mos pushojë hetimet për çështjen CEZ. Balla tha dëshmitari kyç për këtë çështjen, Nue Kalaj ndodhet në Kosovë ku kandidon për anëtar të këshillit komunal në Komunën e Prizrenit dhe Prokuroria të mos thotë se nuk e gjen se ku është ai.

“Unë i qëndroj akuzës së bërë, se qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro nga privatizimi i OSSHE te CEZ. I bëj thirrje prokurorisë së Tiranës që mos përdorë makinacione për ta pushuar çështjen në ngarkim të Sali Berishës, Nue Kalajt, Shkëlzen Berishës. Prokuroria të vijojë hetimet dhe me shpresën e gjithë shqiptarëve që SPAK ngrihet së shpejti le të jetë kjo një prej dosjeve që t’i vihet në dispozicion SPAK. Është e turpshme që pas 18 muajsh që kur është bërë kallëzimi, nuk mund të na thotë prokuroria që nuk gjejmë dot Nue Nik Kalaj, i cili kandidon në Kosovë për anëtar të këshillit komunal në PrizrenNe nuk jemi si ata, pasi çdo akuze dhe çështje i shkojmë deri në fund. Akuzat që kemi ngritur qëndrojnë plotësisht”- tha Balla.


Hetimet mbi çështjen e shumëpërfolur “CEZ”, mbahen peng nga dëshmia e biznesmenit Kosovar Nue Kalaj. Përmes një leterporosie autoritetet kosovare informojnë prokurorinë shqiptare se kërkimet policore për gjetjen e Kalajt nuk kanë dhënë rezultat.


Për këtë arsye nuk është bërë e mundur pyetja e tij për llogari të çështjes hetimore që po zhvillohet në Shqipëri. Në kushtet kur dëshmia e Nue Kalaj, njeriut të konsideruar nga socialistët si sekser në procesin e privatimit të OST nga kompania çeke CEZ, konsiderohet si provë kyce për t’i dhënë zgjidhje cështjes, Prokuroria ka vështirësi për të dalë në vendimmarrje.


(d.d/BalkanWeb)

Etiketa: