Një ditë pas publikimit të raportit kritik të UNCESCO-s për Parkun Kombëtar të Butrintit asnjë nga institucionet shqiptare përgjegjëse ose të përfshira në menaxhimin e Parkut ose arkeologjisë, nuk kanë reaguar. Gjatë kësaj të premteje, “News 24” ka kërkuar reagim zyrtar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si ministria përgjegjëse për parkun dhe pjesë e fondacionit të ri që do ta menaxhojë atë, bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

UNESCO rekomandon që Ministria e Kulturës të ketë autoritet mbi të gjithë këtë pasuri botërore dhe deri në publikimin e këtij materiali, Ministria nuk ka sjellë një qëndrim zyrtar. Në një raport të publikuar nga Zëri i Amerikës, UNESCO thotë se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të Butrintit.

“News 24” ka kërkuar reagim edhe nga Akademia e Shkencave e kryetari i saj që muaj kohë më parë premtoi ta ndiqte çështjen,  është kërkuar reagim nga Kryetari i Seksionit të Albanologjisë, Neritan Ceka i cili kohë më parë ishte avokat publik i mbrojtjes së Butrintit, si dhe është kërkuar reagim edhe drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Adem Bunguri por pa marrë asnjë përgjigje nga asnjëri prej tyre. Çështja e Butrintit,  ka heshtur të gjitha institucionet shtetërore dhe specialistët shqiptarë të arkeologjisë dhe trashëgimisë. Raporti fshikullues i UNESCO-s ju ka kyçur gojën e institucioneve dhe individëve në vend duke shpalosur një panoramë të brishtë të mendimit të lirë  dhe strukturave publike.

Çështja e menaxhimit hibrid të Butrintit, nga një fondacion që bashkon Ministrinë e Kulturës me një fondacion privat nis me ligjin e Trashëgimisë  miratuar në vitin 2018, kur në krye të Ministrisë së Kulturës ishte Mirela Kumbaro. Plani i menaxhimit u hartua dhe nisi ngritja e fondacionit të ri ndërsa ministria drejtohej nga Elva Margariti, e cila ishte pjesë e bordit drejtues të fondacionit. Ndërsa ministri Blendi Gonxhja ndër takimet e para që mbajti me të marrë detyrën ishte në zyrat e fondacionit Shqiptar-Amerikan.

Raporti i UNESCO-ICOMOS, cituar nga “Zëri i Amerikës”,  ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë, po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e tij.

Ndërsa një grup deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, siç vihet në dukje, pak ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seancës plenare për Butrintin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: