Hetuesit e Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të martën transkripte të tjera dëshmish në procesin e hetimeve që ata synojnë të çojnë në akuza për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Transkriptet përfshijnë qindra faqe dëshmi nga dy diplomatë të lartë të përfshirë thellë në çështjen e Ukrainës.
Kurt Volker, ish-i dërguari i posaçëm për Ukrainën dhe Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, u përfshinë në politikën e Shtëpisë së Bardhë ndaj Ukrainës dhe ishin në dijeni për telefonatën e 25 korrikut midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, që është në qendër të hetimit.

Zoti Sondland e rishikoi dëshminë e tij. Ai pranoi se në shtator kishte kuptuar se ndihma amerikane për Ukrainën ishte e lidhur me një premtim publik që duhet të bënin ukrainasit, pra se do të hetonin korrupsionin në vendin e tyre.

Ambasadori Sondland tha se kujtesa e tij u rifreskua nga fjalët e dy dëshmitarëve të tjerë kryesorë.
Në mënyrë të veçantë, ambasadori Sondland tha se tani atij i kujtohet një bisedë në Varshavë me një ndihmës të lartë të presidentit ukrainas, në të cilin Sondland tha se ndihma ushtarake ka të ngjarë të mos rifillojë derisa vendi të ketë bërë një deklaratë publike ku të premtojë se do të luftojë korrupsionin. Në një telefonatë gjatë verës, Presidenti Trump e kishte lidhur këtë kërkesë me hetimin ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden dhe demokratëve.

Ambasadori Sondland gjithashtu u tha hetuesve se Presidenti Trump gati ia mbylli telefonin kur ai e pyeti nëse Shtëpia e Bardhë po e vononte ndihmën ushtarake për Ukrainën ndërsa i kërkonte asaj të hetonte demokratët, sipas dëshmisë së diplomatit, shkruan VOA.

“Nuk kërkoj asgjë. Nuk kërkoj asnjë shkëmbim favoresh,” tha presidenti Trump, sipas ambasadorit Sondland. “Dua që Zelenskiy të bëjë atë që duhet.”
Ambasadori Sondland tha se Presidenti nishte në humor të keq. Diplomati u shpreh: “Nuk do të thosha se ma mbylli telefonin, por pothuajse ma mbylli.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb