TIRANË- Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka qenë në studion e “Opinion” në News24 këtë të diel për të komentuar situatën politike, akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe reformën zgjedhore.

Bylykbashi tha se opozita do të ketë përshkallëzim të aksioneve të saj pavarësisht nga vendimi në parlament për Tahirin dhe se populli, jo vetëm ai opozitar por edhe elektorati gri po karikohet.

I pyetur nëse PD do të bojkotojë Kuvendin nëse parlamenti vendos kundër kërkesës së Prokurorisë, Bylykbashi tha se këto janë vendime që i marin forumet në parti.
“Le të mos e paraprijmë. Janë forumet e PD që do marrin vendime. Sigurisht që do ketë përshkallëzim. Nuk mund të shkojë kjo situatë si diçka e zakonshme.

Këto informacione janë duke ardhur në mënyrë konstante nga Italia. Jo vetëm kanë bërë një punë kolosale duke goditur një grup kriminal si Habilaj, por janë duke sjellë dokumente, prova. Edhe në Maqedoni diçka e tillë ndodhi. Ajo që është e sigurt, PD dhe gjithë opozita do përshkallëzojnë qëndrimet e tyre. Nuk mund të lihet si një skandal tjetër i një ministri apo ish-ministri. Kjo duhet të ikë tani”, deklaroi Bylykbashi, raporton “BalkanWeb”.

Në lidhje me reformën zgjedhore, deputeti demokrat tha se PD është për një reformë që sjell dekriminalizim të zgjedhjeve për të rrëzuar lidhjet e politikës me krimin.
“PD ka thënë që në fillim që nuk është një reformë rutinë zgjedhore, por dekriminalizim i zgjedhjeve. Nuk kam asnjë lloj mëdyshje në lidhje me koluzionin mes krimit dhe politikës. Raporti i ODIHR e vendosi në rekomandimin e dytë, por i parë si prioritar shitblerjen e votës. Mishela e zemërimit popullor është duke u karikuar fort. Askush nuk do ta tolerojë Edi Ramën të vazhdojë më tepër me këto shoë prej sharlatanësh”, tha Bylykbashi.

I pyetur nëse aksionet e PD-së do të jenë në bahskëpunim me LSI, Bylykbashi tha se të gjitha partitë opozitare kanë dalë në një qëndim të përbashkët.

“Jo më kot ishte tryeza e partive opozitare dhe dolën me një deklaratë, është një hap që tregon që ky është interes përtej interesit të partive politike. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Komisar Zagani u mor dhe u arrestua për shpërdorim detyre, pa prova vetëm e vetëm se denoncoi Habilajt dhe ministrin, ndërkohë që ministri nuk arrestohet kur vijnë prova nga Italia”, u shpreh ai.

Bylykbashi tha se Tahiri kërcënoi prokurorët në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores dhe se Rama kërkon të ndajë publiku por se nuk do ta arrijë sepse hetimit ndaj ish-ministrit do të vijojë pavarësisht nëse arrestohet ose jo duke paralajmëruar edhe arrestime të funksionarëve të tjerë.
“Edi Rama këtë do të bëjë. Kjo është bajate tashmë. Nga një anë kemi një proces penal, që do vazhdojë për Tahirin edhe pa arrestimin e tij. Ndoshta do të dalin edhe funksionarë të tjerë që do të arrestohen por këtë duhet t’ia lëmë drejtësisë. Unë do të doja shumë që Tahirin dhe këdo tjetër ta shihja të gërmushej para gjyqtarëve të Krimeve të Rënda. Do doja Edi Ramën të shkonte të asistonte para gjyqtarëve të Krimeve të Rënda. Do doja ta shihja si do t’i etiketonte të gjithë gjyqtarët që po i bëjnë varrin lidhjeve të krimit me politikën. Saimir Tahiri ka prerë biletën e vet. Kaq sa ka dalë është pak, për zyrtarë të niveleve të ndryshme. E gjithë kjo është Edi Rama. Fokusi është atje. Fakti që SHBA-të sjellin ekspertë të FBI-së nuk janë duke ja sjellë Edi Ramës por po i lidhin duart. Nuk mund të mburret ai se po bën luftë kundër drogës, kur e mbushi vendin dhe po arreston 5-6 fakirë”, tha BylykBashi.

Në lidhje me reagimin e ndërkombëtarëve, deputeti demokrat tha: “Unë mendoj se është mjaftueshëm kjo që po vjen nga organet ligjzbatuese të partnerëve tanë. Fjalët e shumta e dëmtojnë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb