TIRANE- Gazetari Robert Rakipllari ka komentuar audiopërgjimin e publikuar nga PD, i cili implikon vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, teksa po diskutohej rreth të vërtetës apo të pavërtetës së audiopërgjimit, ai deklaroi se në përgjimin e plotë që u publikua mbrëmjen e sotme nuk është i përfshirë, Agron Xhafaj.

“Në videon pasardhëse nuk është prezent Agron Xhafaj, e kam të sigurtë”, tha ai.

I pyetur se “Çfarë ju duket kjo histori?”, Rakipllari u përgjigj:

“E para një herë duhet thënë që Xhafaj është një nga zyrtarët më seriozë që ka kjo mazhorancë. Nuk mund ta gjykojmë për bilanc, por për seriozitetin duhet ta vlerësojmë. Ka një vendim për të vëllain që ne e morëm vesh tani. Ne nuk e dinim që vëllai i ministrit është i dënuar me vendim të formës së prerë. Kryeministri dhe ministri e dinin dhe ja fshehën publikut, dhe kjo është shumë e rëndë. Përsa i përket çështjes së falsifikimit të ligjit, nuk mendoj që ka arsye të forta për ta akuzuar, nuk mendoj që Xhafaj ja ka hedhur Kuvendit.

Përsa i përket audiopërgjimit, mendoj që ka dyshime shumë të forta jo të vërtetuara që vëllai i ministrit të Brendshëm vazhdon aktivitetin kriminal. Këtë gjë do ta hetojë prokuroria. Fakti që Xhafaj vijon të jetë ministër i Brendshëm, mendoj që pjesa se ai mund ta influencojë këtë hetim dhe fshehja e vendimit për dënimin e të vëllait, minimalisht duhej të kërkohej dorëheqja, por jo të flitet për dorëheqje nga skena politike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb