TIRANE- Administratori i DIA-s, Kastriot Ismailaj ka deklaruar në sallën e gjyqit se paratë i ka fituar në mënyrë të ligjshme dhe se janë transferuar në rrugë bankare, jo me çanta si pretendon prokuroria.

“Paratë i kam të ligjshme, u transferuan në rrugë bankare. Jo transferim me çanta, si pretendon prokuroria”, ka thënë Ismailaj.

Po dje në Gjykatën e Lartë, biznesmeni Kastriot Ismailaj, i akuzuar për pastrim të parave të përfituara nga kontrata për mbledhjen e borxheve të ish-­kompanisë CEZ, tha se nuk tërhiqet nga padia ndaj Shqipërisë në Arbitrazh.

Personazhi i lakuar gjatë në media këto kohë ishte i pranishëm në seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku po zhvillohet procesi për konfiskimin e pasurisë së tij, shkruan “Panorama”.

Në seancën e djeshme, Vladimir Meçi, avokati i biznesmenit, paraqiti provat shkresore me të cilat kërkoi rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për konfiskimin e pasurive të Kastriot Ismailajt. Avokati mes provave të tjera dorëzoi edhe vendimin e pushimit të çështjes së Ismailajt nga Prokuroria e Tiranës, në vitin 2012.

Duke qenë se është transferuar në paraburgim në Tiranë, biznesmeni Ismailaj ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit. Më herët në disa seanca, ai është përfaqësuar vetëm nga avokati për shkak të largësisë, duke qenë se mbahej në paraburgimin e Fierit.

DEKLARATA NË GJYQ
Gjatë seancës së djeshme, Kastriot Ismailaj bëri një deklaratë të shkurtër para Gjykatës. Ai theksoi se ka hapur gjyq me Shqipërinë në gjykatën e Arbitrazhit për prishjen e padrejtë të kontratës që kompania e tij, DIA, ka nënshkruar me ish­-CEZ-­in.

“Nuk tërhiqem nga çështja në Arbitrazh”, tha Ismailaj para Gjykatës.

Ai bëri me dije se kohët e fundit nuk e kanë lejuar të takohet me bashkëshorten e tij dhe me avokatin mbrojtës, në përmbushje të të drejtave që i jep ligji. Gjykata e shtyu seancën e djeshme, pasi i kërkoi avokatit të paraqiste dokumentet origjinale nga lista e provave të cituara prej tij. Në maj 2015, Prokuroria urdhëroi arrestimin e biznesmenit Kastriot Ismailaj.

Ai u akuzua se kishte mashtruar në dy kontrata të lidhura nga kompania e tij DIA me CEZ­in për mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë në vite. Pas dy kontratave të kompanisë DIA me CEZ­in dhe akuzave për mashtrim e përfitim të paligjshëm fondesh, më 28.10.2011, “CEZ Shpërndarje” i ka dërguar një njoftim zyrtar kompanisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri, për zgjidhjen e kontratës së shërbimit, datë 01.02.2011, për mbledhjen e borxhit.

Më pas, Kastriot Ismailaj ka paraqitur një padi në Arbitrazh, në bazë të së cilës kërkon dëmshpërblim në shumën 130 milionë euro nga shteti shqiptar.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb