NGA VALENTINA MADANI

TIRANE- Gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit hetimor për CEZ u publikua dokumenti që tregon se avokati ndërkombëtar i Qeverisë shqiptare i ka sugjeruar ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri se nuk është në interes të shtetit një marrëveshje me CEZ, por duhej të vazhdonte arbitrazhi. I pranishëm në mbledhjen e komisionit hetimor për CEZ pasditen e djeshme, ministri Gjiknuri pranoi se është marrë vendim politik për CEZ, ndaj është injoruar rekomandimi i avokatit ndërkombëtar të qeverisë.

Përmes dokumenteve zbardhet korrespondenca (shqip dhe anglisht) e publikuar në komisionin ketimor për CEZ, ku ministrit Damian Gjiknuri i është sugjeruar nga avokati ndërkombëtar i qeverisë se nuk është në interesin e shtetit shqiptar një marrëveshje me CEZ, por duhej të vazhdohej arbitrazhi. Në komisionin hetimor për çështjen e CEZ, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, raportoi për prishjen e kontratës me çekët. “Kisha dëgjuar për kontaktin e CEZ nga mediat para se të merrja detyrën si ministër. Pas marrjes së detyrës, u njoha me çështjen”, deklaroi z.Gjiknuri.

Por, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi: “Në letrën e Avokatit të Shtetit thuhet se ka pasur probleme me procesin. CEZ nuk plotësoi asnjëherë detyrimet e kontratës. Sipas avokatit, Shqipëria i ka të gjitha provat për ta ndjekur çështjen në gjyq”, Nga ana e tij, ministri Gjiknuri vazhdoi replikën me Tabakun: “Prisni përgjigje para se të kërcisni kot më kot. Faturat e 2013-ës nuk ishin paguar ende. Deri në 2013-ën, qeveria ‘Berisha’ nuk kishte marrë asnjë masë për të mbrojtur konsumatorin. Qeveria ‘Berisha’ për çështje politike nuk kishte ngritur asnjë pretendim për çështjen e CEZ”.

Më pas ndërhyri deputeti i PD-së, Florion Mima, i cili akuzoi ministrin për shpifje: “Zoti ministër, ju vazhduat serinë e shpifjeve”. Pas kësaj, debati u zhvendos mes Mimës dhe deputetit socialist, Eduart Shalsi. “Është shpifje të vijë këtu dhe të thotë që nuk ka gjetur asgjë gati. Kontratën e dytë e ke firmosur ti, se i ke gjetur në tavolinë të gjitha dokumentet. Është e vërtetë që avokati ka punuar pa pagesë, por ka bërë detyrën. Ti buzëqesh, por i ke shkaktuar dëmin më të madh këtij shteti”, deklaroi z.Mima.

Por, ministri u përgjigj: “Kishim dy mënyra për të bërë shpronësimet me kosto 200 milionë dollarë”. Jorida Tabaku pyeti: “A është cenuar interesi i shtetit shqiptar nga marrëveshja?”. Ndërkohë që ministri u përgjigj: “Nuk është cenuar asnjë interes”. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar shpeshherë kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Damian Gjiknuri për mega-aferë me CEZ, duke e quajtur vjedhjen e shekullit prej 600 milionë eurosh.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: