TIRANE– PD-ja akuzoi dje kryeministrin Rama se po prish hetimin parlamentar për çështjen CEZ, sipas së cilës marrëveshja me kompaninë CEZ për OSHEE ishte e paracaktuar. Për demokratët, Edi Rama po i shmanget hetimit parlamentar për marrëveshjen me CEZ, pasi ai është përgjegjës për 450 mln euro që ia fali kompanisë. Kryetari i Komisionit Hetimor për CEZ, i ngritur nga PD, Edmond Spaho deklaroi marrëveshja e mirëkuptimit me CEZ është arritur në datën 7 shkurt 2014 dhe jo në qershor 2014, siç ka deponuar ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Z.Spaho publikoi dy dokumente, të cilat vërtetojnë se kjo marrëveshje ku CEZit i jepen 100 milion euro ka qenë e paravendosur dhe është arritur para muajit qershor të 2014.

“Letra 6092/2 datë 28.09.2012 e kryetarit të bordit të CEZ, Jaroslav Macek, i cili konfirmon detyrimet dhe skedulin për shlyerjen e tyre si dhe deponimin e zëvendësministrit të Financave, Erion Luçi në prokurori, i cili thekson që pala çeke në takimin e dytë që u zhvillua në Vjenë në datën 7 shkurt 2014, nuk i mohoi detyrimet. Edi Rama mashtron kur thotë përmes Gjiknurit se marrëveshja e mirëkuptimit u arrit në muajin qershor 2014. Ne kemi fakte se ky pakt është arritur përpara dhe marrëveshja ka qenë e paravendosur”, u shpreh z.Spaho.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se po i shmanget hetimit parlamentar, sepse u detyrohet shqiptarëve 450 milionë euro, para që sipas Spahos, Rama ia fali CEZ. Gjithashtu, kryetari i komisionit hetimor, i ngritur nga PD është shprehur se Rama dhe Gjiknuri mashtrojnë shqiptarët, pasi sipas tij, nuk ka qenë avokati ndërkombëtar që ka sugjeruar marrëveshjen e CEZ, pasi ai e ka kundërshtuar atë.

“Edi Rama mashtron kur thotë përmes Gjiknurit se marrëveshja e mirëkuptimit u arrit në muajin qershor 2014. Ne kemi fakte se ky pakt është arritur më përpara dhe marrëveshja ka qenë e paravendosur. Faktet tregojnë që Damian Gjiknuri ka dëshmuar në prokurori se pas konsultimeve me kryeministrin dhe përpara takimit të dytë të grupeve negociuese, që u zhvillua në datën 7 shkurt 2014 në Vjenë, u mor vendimi politik që CEZ-it t’i jepen 100 milionë euro. Edi Rama mashtron kur nëpërmjet Gjiknurit thotë se ishte avokati ndërkombëtar, ai që sugjeroi marrëveshjen me CEZ-in. Ne kemi prova që tregojnë se avokati ndërkombëtar i qeverisë e ka kundërshtuar hapur këtë marrëveshje”, deklaroi z.Spaho.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: