Në qershor të vitit 2014, disa ditë përpara se Shqipëria të merrte Statusin e vendit Kandidat për në Bashkimin Europian, unë botova një shkrim – po në “Gazetën Shqiptare” – mbi 100-vjetorin e Misionin Holandez të paqes së vitit 1913-4, në të cilin, mbështetur në të dhënat e reja historike nga burimet holandeze, shpjegova se ushtaraku i famshëm holandez, koloneli Tomson, nuk është vrarë nga shqiptarët në Durrës më 15 qershor të vitit 1914. Shkrimi im ishte krejt i pafajshëm dhe as kishte ndonjë lidhje me vlesën politike të kohës, dhe as ndonjë qasje për të dekriminalizuar dumbabasët, të cilët, jo nga ndonjë dashuri e madhe ndaj holandezit, por sepse nuk e kanë patur në arsenalin e tyre snajperin e sofikstikuar me çka dyshohet se është vrarë koloneli ynë i dashur, nuk janë vrasësit e tij. Kaq u desh, që makineria shtetërore, e njëjtë me atë që është edhe sot, të komandonte baltatriçen shqiptare dhe t’i detyronte ca personazhe letyrë të medas shqiptare, që të mësuar të hanë në të gjitha pushtetet, organizuan për të zotët e tyre të politikës një fushatë të ulët denigruese ndaj meje. Sigurisht, përveç shijes së keqe që të vjen nga kolegë që fshihen me pseudonime, që të kërcënojnë se po i bën dëm Shqipërisë duke na “i mërzitur” holandezët, nuk u shqetësova shumë, as atëherë, as sot, kur këto fakte të vërteta do të dalin së shpejti në dritë me botimin e biografisë së Kolonel Tomsonit. Sikur të mbetej vetoja e Holandës për të hyrë në Europë në dorën time, i siguroj marionetat e pushtetit se ne do të ishim tani në Europë.


E përmenda këtë fakt jo pa qëlim. Këto ditë, në një artikull të botuar në një prej gazetave më të rëndësishme holandeze, gazetari që analizonte mocionin e parlamentit hoandez për kthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, me një padije të thellë ndaj historisë, e mbase edhe me shijen e hidhur raciste në penën e tij, i përshkruante pak a shumë mes të tjerash shqiptarët “si të dhunshëm, siç kishin vrarë dikur kolonel Tomsonin”, arsye pse ata duheshin kufizuar për të patur liri të plotë veprimi nëpër Europë, veçmas në Holandën e tij të kërcënuar nga këto banda, që i kujtonin atij plaçkitjet pirate të një shekulli më parë.


Por, që të kthehem te çështja themelore e këtij shkrimi: kërkesa e kthimit të regjimit të vizave për shqiptarët dhe perceptimi shqiptar, dhe holandez, mbi këtë lëvizje të policisë, prokurorisë dhe paramentit holandez. Në krye të argumenteve të mia, dua të shpreh trishtimin tim të thellë për debatin e hapur mbi këtë çështje në Holandë, bashkë me përpjekjet për ta legjitimuar këtë iniciativë, por njëherësh kam bindjen se Europa që ne aspirojmë, nuk do ta lejojë një precedent të tillë, madje edhe Holanda, një nga vendet vërtet mike të Shqipërisë, nuk është se ndihet aq komode me këtë inciativë që cënon thelbin e arkitekturës së saj të lirisë dhe demokracisë.


Këto ditë kam parë shumë reagime mbi këtë çeshtje nga njerëz të thjeshtë, intelektualë, por edhe politikanë të lartë shqiptarë, dhe disa prej tyre janë vërtet për të ardhur keq. Po ç’faj na ka Holanda?

Të mos e shohësh siç duhet situatën dhe të kërkosh fajin te Holanda, dhe ata që janë të lidhur me Holandën, është e turpshme dhe diabolike, por edhe fyese për shqiptarët e thjeshtë, të cilët, në fund të fundit, do të jenë ata që do t’i vuajnë këto zhvillime. Pasi, politikanët shqiptarë dhe kriminelët, një gjë e kanë të përbashkët: dinë se si t’i hapin rrugë vetes dhe t’i krijojnë përfitime për të lëvizur në Europë të lirë. Sigurisht, mocioni që iu paraqit parlamentit holandez për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, nuk përputhet me pikëpamjet e Ministrisë së Jashtme Holandeze, e cila, duke qenë më pranë humorit europian, e di mirë se kjo është thuajse e pamundur.  Kjo kërkesë duhet parë si një zile alarmi, qoftë edhe si një kërcënim i hapur, dhe duhet t’i bëjë politikanët shqiptarë, qeverinë shqiptare në veçanti, që t’i shohë gjërat në një perspektivë më realiste dhe jo të përpiqet ta gjuajë shukun e fajit në oborrin e tjetërkujt.

Por gjëja më qesharake që kam dëgjuar, ishte shënimi i një politikani të lartë të partisë në pushtet, sipas të cilit kjo situatë e re në raportet me Holandën, ka ardhur nga ndërhyrja personale e kryetarit të opozitës, si holandez që qenkësh. Kam parë shpesh edhe ta etiketojnë si “Lul holandezi”, sigurisht në kuptimin pejorativ, a thua se të jesh hoandez është një gjë e turpshme. Këto lloj etiketimesh që mund të duken si raciste, janë në fakt tregues i nivelit të diskursit politik në Shqipëri, që shkon në kufijtë e bajatisë. Shqiptarët të luten madje që shefi i opozitës të jetë ca holandez, se kjo do t’i bënte mirë mjedisit politik shqiptar. Mbase edhe mund të jetë vërtet ca holandez, dhe kjo duket se i shqetëson radikalët, përderisa deri tani protestat e opozitës nuk kanë gjeneruar dhunë të vërtetë, siç jemi mësuar të shohim për gati tridhjetë vjet, por janë thjesht përpjekje për përshkallëzim proteste, që është një gjë mëse e natyrshme në pjesëmarrje të të tilla përmasave. Dhuna vetëm do ta përligjte veprimin e juntës që po ngrihet pakuptuar, që edhe kaq sa është shfaqur, është një kërcënim i hapur i demokracisë shqiptare.

Fajin e Holandës duhet ta kërkojmë te shtëpia jonë që ka filuar të na pikojë dhe po na zë brenda. Shqetësimi i policisë dhe prokurorisë holandeze mbi rritjen e  kriminalitetit shqiptar në Holandë, është bërë akut. Deri tani, kriminelët shqiptarë në Holandë janë marrë thjesht me drogëra të lehta apo me trafik njerëzor nëpër portet holandeze, por prej disa vitesh ata zënë vendin e parë në trafikun e drogës në Holandë, veçmas në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ky kontigjent kriminal nuk pret lehtësirat europiane për të lëvizur i lirë dhe as do të kenë ndonjë shqetësim nga vendosja e regjimit të vizave me Holandën, pasi ata shëtisin lirshëm me pasaporta europiane dhe mund të korruptojnë me shumat që qarkullojnë këdo që u del përpara. Tani kriminelët shqiptarë kanë mbretërinë e tyre të kontrolluar të drogës brenda mbretërisë e Holandës, e cila nuk po i kontrollon dot më; aeroporteve, rrugëve, zyrave e nëndhesave të Amsterdamit, shqiptarët – edhe ata të pafajshmit –  janë njerëzit më të dyshuar, më të survejuar sot. Vetëm në tre vitet e fundit, janë arrestuar rreth 1700 shqiptarë si të dyshuar për trafikun e  kokainës, si një kërcënim i hapur për Holandën. Dikur sherpa të italianëve dhe trafikantëve nga vende të tjera, tani ata komandojnë një rrjet shumë të sofistikuar në Holandë.

Kuptohet që mocioni mbi regjimin e vizave për shqiptarët, është vetëm një masë profilaktike për të frenuar sadopak përshkallëzimin e tij, njëlloj siç ndodhi me masat që u morën për kufizimin e krizës financiare të importuar nga Greqia, para së cilës Holanda u gjend e përgatitur në kohë. I gjithë shqetësimi i policisë, prokurorisë dhe politikës holandeze, është pasoja që vjen nga ky “agresion”: korruptimi i mundshëm i politikanëve holandezë – njëlloj siç dihet botërisht se janë politikanët shqiptarë – për shkak të këtyre shumave kaq marramendëse që janë ose pritet të jenë në qarkullim. Askush nuk është imun nga e keqja dhe krimi, ndaj higjiena e demokracisë së tyre, është beteja e pare holandeze, ata nuk do ta lejojnë kurrsesi t’u helmohet demokracia e tyre nga elementë kriminalë, me në krye shqiptarët.

Por si shkuam deri këtu? Pse vitet e fundit kjo është bërë kaq e qartë? Prej vitesh jam shprehur me shqetësim në shënimet e mia mbi politikën e ditës, se kthimi i Shqipërisë nga Lazarat në Gjitharat, do të sillte pasoja të pariparueshme për Shqipërinë, pasi të futurit në lojë të shumave aq të mëdha parash, ia bënë shumë më të lehtë eksponentëve kriminalë të futeshin në tregun ndërkombëtar të drogave të forta dhe të kontrollojnë sot rrjetin në Europë, veçmas në Holandën përmes porteve të saj. Projekti shtetëror i kanabizimit të vendit, që u bë me bekimin e heshtur dhe të hapur të qeverisë shqiptare, së cilit iu vu në shërbim edhe një pjesë të infrastrukturën shtetërore, e mbuluar mjeshtërisht me një propagandë të paparë deri më sot në raport me Europën, krijoi shtratin e një përmbysjeje financiare kombëtare. Shihni nivelin e euros sot, për të kuptuar se ku është Shqipëria në raport me Europën.

Por dëmi më i madh që do të bëjë ky mocin, është pasoja që do të japë për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, pasi situata e krijuar nga Shqipëria sot, do ta bëjë edhe më të vështirë që të ndodhë kjo, sikurse qytetarët e Kosovën meritonin.

Një dëm po aq të madh kësaj çështjeje i bëjnë edhe të ashtuquajturit mbrojtës dhe lobues për Shqipërinë, të cilët, në pjesën më të madhe të tyre në Europë dhe SHBA, janë njerëz pa autoritet të mjaftueshëm, edhe pse të paguar mirë, shpesh një Zot e di se si. Pritet që ky mocion të sjellë shpejt një sërë masash edhe më të rrepta ndaj shqiptarëve, në Holandë. Shpesh kam qenë dëshmimtare e radhëve të shqiptarëve nëpër aeroporte, duke më kthyer sërisht ndjesinë e harruar të viteve të shkuara kur edhe vetë kam qenë atyre radhëve. T’i kthesh sërish shqiptarët e thjeshtë në qytetarë të dorës së dytë në Europë, t’i bësh sërish objekt investigimesh dhe kontrollesh gati denigruese, është mëkati i politikës shqiptare sot. Por kjo nuk mjafton, ky mocion do t’i bëjë të pazëshëm politikanët holandezë, asnjëri prej tyre nuk do të guxojë të flasë në favor të Shqipërisë.

Por çfarë është më shqetësuese e që druaj ta them, ështe se ky mocion parathotë një veto të mundshme të Holandës për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë. Dhe përgjegjësia për këtë bie drejtpërdrejt mbi qeverinë shqiptare. As joshjet, as dhuratat, as propaganda, lektisjet ndaj ambasadorëve të Europës (përfshirë edhe ato të Holandës), as mbjelljet e pemëve me të deleguarit e Holandës, të cilët, edhe pse vinin të ngarkuar me shqetësimet për rritjen e kriminalitetit, iu shitën shqiptarëve si duartrokitje për sukseset, as propaganda ekstreme kundër opozitës dhe lidershipit të saj, si dëmtuesja e reputacionit të zhvillimit të Shqipërisë, as farsiteti i përditshëm që emetohet nëpër ekranet e kapura të medias shqiptare, nuk e mbulojnë dot korruptimin e plotë shtetëror që ka çuar në një ethe shqiptare për ta lënë Shqipërinë. Por përkundër kësaj, në vend të një reflektimi të thellë dhe gjetjen e rrugëve për të ndryshuar situatën, shpesh të deleguarit holandezë janë shoqëruar nëpër pritjet e tyre me sarkazmën e autoriteve më të larta shqiptare, se Holanda nuk mund të japë leksine për drogërat, sepse e ka në shtëpinë e saj. Kjo arrogancë e përbindshme dhe e përdhunshme, i ka bërë shërbimin më të keq shqiptarëve.

Ku shkon e gjithe kjo para që qarkullon nëpër Holandë sot? Ktheni kokën dhe shihni sa gropa janë hapur në qendër të Tiranës, ato janë kozmetika e atij trafiku që sot komandon rrugët tona me Europën, që ka toksifikuar median, që ka akaparuar shtetin shqiptar, që sikurse mbreti lakuriq, nuk e sheh dot zhveshurinë e vet, as varfërinë që ka pllakosur shqiptarët prej këtij polarizimi të skajshëm, që nuk e kupton dhe as ka dëshirë ta kuptojë këtë çangë europiane që po i bie në derë. Ajo, qeveria shqiptare, po përpiqet të gjejë fajtorët të tjerë, si përherë, sikur ia kanë mësuar etërit e tyre, te “armiku i jashtëm”, i cili nuk po arrin ta kuptojë se sa shumë përdëllim ka politika shqiptare për një Shqipëri europiane. Në fund të fundit, ai që do të vuajë sërish, do të jetë shqiptari i thjeshtë, ëndrra europiane e të cilit nuk është ende tunikë e mjaftueshme për ta mbajtur të sigurtë, sepse izolimi e kërcënon sërish.

 

Etiketa: