Emisioni investigativ Vetting, News24
Rindërtimi në Thumanë ka kaluar në një proces shkeljesh të së drejtave themelore për familjet që kanë pasur prona me certifikat pronësie. Nëse tërmeti i dëmtoi pjesërisht shtëpitë e tyre, shteti ua shembi dhe premtoi t’ua ndërtonte nga e para. Banesat të cilat ishin të dëmtuara pjesërisht, shteti i shembi për të ndërtuar Thumanën dhe strehuar banorët që kishin humbur banesat.
Emisioni “Vetting” kontaktoi me disa banorë që shtëpitë e tyre ishin të dëmtuara dhe sipas Komisonit të Rivlerësimit ata duheshin të riparoheshin, por që shteti ua shembi, duke u garatuar se do t’iu jepte banesa të reja.
Banorët e Thumanës denoncojnë për emisionin “Vetting” padrejtësinë që u është bërë:
“Çfarë borxhi ua kemi? Ku i kemi mundësitë ekonomike neve për t’u përplasur nëpër Gjykata kjo është një e drejtë që po na mohohet ta gjejnë ku të duan pronën që kam patur”, sqaron Vera Fifo.
Teksa më tej një tjetër banor shprehet se: “Na i premtuan që do na jepnin sipas nenit 17 germa C nuk na i kanë dhënë, vetëm mashtrime”.
Si Vera Fifo dhe Sali Gasa janë dhe shumë familje të tjera që kanë përjetuar tragjedinë e tërmetit dhe lënë në një situatë të pasigurt dhe të padrejtë 5 vite më vonë. Pas dëmtimit të banesave të shkallës DS3, pra për rikonstruksion, pallati i tyre sërisht u shemb për të rindërtuar Thumanën sot.
Vera Fifo shprehet se: “Dëmtimet kanë qenë DS3. Na i kanë shembur për rindërtimin jo se ishte e dëmtuar nga tërmeti. Na i shembën për të na i ridhënë. Nuk na i kanë dhënë. Kemi gjithë këto vite që po vuajmë. Ky është dëm ekonomik që ne po e vuajmë ka 5 vite”.
Janë ankuar në bashki, por i kanë kthyer përgjigje se në bazë të aktit normativ janë pajisur, por faktikisht banesa e tyre nuk u dëmtua nga tërmeti, por nga vetë shteti.
Problem qëndron se për pronën e tyre kanë rezultuar dy akt konstatime, një që i dhanë banorëve dhe një që mbahej në dosjet e njësisë administrative Thumanë ajo që “fshihej” në dokumente e nxirrte pallatin të dëmtuar të shkallës DS5.
Enver Shpati jurist shprehet: Këshilli Bashkiak ka marrë vendim që për mua s’bën sense që një këshill bashkiak të marrë një vendim ta prishë banesën, ta rindërtojë nga një 2-katësh në 5-katësh dhe mos t’u japë banorëve. Familjet nuk kërkojnë më shumë nga çfarë ata kishin”.
Në tokën ku ka qënë shtëpia e tyre është ngritur një 5 katësh nga 2 kate që ishte pallati i tyre por këtyre banorëve nuk u dha banesë aty ku ishin por nga 3 banesa që ata zotëronin para tërmetit me certifikata pronësi u është dhënë vetëm duke iu mohuar për pasojë e drejta e pronës.
Banorja Vera Fifo sqaron se: “Tani ndërtesën e djalit me certifikatë pronësie, nuk na e ka dhënë ambientin e punës nuk na i kanë dhënë, ka qenë ambient pune kemi paguar taksa në me licencë”.
Qytetarë të Thumanës që kanë kontribuar për zhvillimin e komunitetit kanë respektuar ligjet, por tashmë përballen me një realitet ku po vuajnë. Shteti ndërmori shembjen e këtyre shtëpive, me premtimin për ndihmë dhe strehim më të mirë. Por, për shumë qytetarë, si Vera, kjo ndihmë ka qenë e papërmbushur, duke i lënë ata në një gjendje akoma më të vështirë se para katastrofës.
Ky është një shembull i qartë se si shumë qytetarë, pavarësisht se janë të mbështetur nga ligji dhe kanë pasur të drejta pronësie, janë të detyruar të përballen me një sistem që jo vetëm nuk i mbron, por edhe i trajton me padrejtësi në momentet kur kanë më shumë nevojë.
Më tej, Vera shprehet se: “Kemi kontribuar për këtë vend. Këtu ishte dy katëshe, e kanë tjetërsuar, e kanë bërë 4 kate, na kanë tjetërsuar vendin. Nuk marrin parasysh metrot që kishim. Jemi një familje që nuk përfitojmë në kurriz të të tjerëve”.
Vera, një grua që ka kaluar një jetë të tërë duke luftuar për të drejtat e saj, sot ndodhet në një situatë dramatike. Pas 30 vitesh mundimesh, ajo shtron pyetjen e fortë:
“Për çfarë arsye kemi kontribuar kaq shumë për këtë vend, kur asgjë nuk na është kthyer?”
Ajo dhe shumë të tjerë përballen me një sistem që dështoi të ndihmojë ata në kohën e duhur. Ndërsa premtimet për ndihmën dhe dëmshpërblimet mbeten të pabazuara, Vera kërkon për të ardhmen e djalit të saj, që të mos shohë veten të detyruar të largohet nga vendi që ka mundur ta quajë shtëpi. Në një shoqëri ku të drejtat e individëve shpesh injorohen, pyetja që mbetet është:
Ku janë premtimet e bëra dhe kush do të marrë përgjegjësinë për ato që janë lënë pas?
“30 vite mund na janë hedhur poshtë. Nuk kërkojmë asgjë përveç se aq sa na takon ku janë premtimet ku është e ardhmja e djalit tim, që ta dëboj e të ikë rrugëve të botës. Për çfarë arsye? Kujt ia kemi borxh neve? Që nuk kam parë as rininë time, as fëmijët e mi për të ikur, për të punuar, zvarritur rrugëve, për mos t’i renë në qafë askujt. Dua metrat katror siç i kam pasur”, shprehet e indinjuar Vera.
Pas ankesave të njëpasnjëshme në bashki, në njësinë administrative e vetmja rrugë i mbeti Gjykata. Çështja është hapur dhe po vijon procedurat prej 1 viti.
Vera shprehet e shqetësuar se shteti i ka kthyer në pikën zero. “Jemi tek Administrativja ka një vit pa përgjigje. Zvarritje, zvarritje…”
“Kujt ia kërkojmë? Ku të vemi? Nuk duan as njerëz që janë në punë të vet, kë do ky shtet? Të marrim akte ekstreme? Kërkoj metrat katrorë siç i kam patur. Kërkoj ambientin e punës siç e kam patur. Asnjë gjë më tepër nuk dua. I kam arritur të gjitha. Nuk kam parë rininë time. I kemi vënë krahët shtëpisë që fëmijët tanë mos ta fillonin nga zero dhe ne sot e kësaj dite shikoni vajtëm në këtë pikë”, shprehet ajo.
***
Për 90-vjeçarin Sali Gasa, historia është më shumë se një varg fatkeqësish dhe tragjedish. Dita e tërmetit solli edhe më shumë rrethana të dhimbshme, gruaja e tij, pasi mori vesh se në familjen e saj për shkak të tërmetit kishin humbur jetën nipi bashkë me të atin, humbi kujtesën, këto ishin një goditje shumë e madhe për bashkëshorten Drita Gasa.
Shteti merr çdo gjë që i përket, ky 90-vjeçar vazhdon të kërkojë nëpër gjykata dhe zyra, ndërkohë që sfidat dhe problemet rriten çdo ditë e më shumë. Në këtë tragjedi, ku duhet të ishte një rikuperim dhe një ndihmë, ai ka mbetur vetëm në kërkim të asaj që i takon. Çdo shpresë dhe çdo mundësi, sikur janë një mrekulli që i janë hequr, ndërsa ai kërkon drejtësi. Ai ndjen se gjithçka është thjesht një shaka tragjike që luhet mbi shpinën e tij.
Sali Gasa thekson se këto para janë lekët e burgut.

90-vjeçari ka vuajtur në kohën e komunizmit dhe po ndëshkohet edhe sot në kohën e demokracisë. Me paratë e burgut politik arriti të blejë banesat në Thumanë 4 hyrje të gjitha me certifikatë pronësie të cilat u prishën për të rindërtuar Thumanën.
Por fëmijët e të moshuarit mbetën pa banesa sepse shteti nuk ua siguroi pronën të dhënë me Kushtetutë.
Më tej, i moshuari Gasa sqaron se: “Pallati nr. 42 kam pas 3 hyrje në emrin e fëmijëve dhe djalit. Në pallatin 35 ka qenë një hyrje 4 shtëpi kemi përfituar 1 17 frymë dhe 5 kryefamiljarë. Shtëpitë i kemi blerë vetë të gjitha të regjistruar në hipotekë në emër të fëmijëve”.
I moshuari ka kaluar një jetë plot vuajtje dhe sakrifica, ende nuk ka mundur të gëzojë pronën e tij. Ai tregon me zemërim se, pavarësisht se ato shtëpi i ka blerë vetë, shteti ende nuk ia ka dhënë atij siç i takon.
Sali Gasa shprehet i pikëlluar se: “Janë shtëpiat tona i kemi blerë vetë, nuk na i ka dhënë shteti. Jemi të përndjekur politik. Shteti duhet të na i kishte dhënë falas. Jam liruar në ‘90 nga burgu politik. 18 vite e 6 muaj në burg. Jam liruar me urdhër të Ramiz Alisë”.
90-vjeçari shprehet me një ton të theksuar pikëllimi dhe shqetësimi.
Sipas të moshuarit është shkelur neni 17. Ai sqaron se: “Na kanë kthyer përgjigje, do merren shtëpitë në bazë të këtij neni, këtij akti mashtrimi. Kërkesa ime është ballafaqim nëse unë dal fajtor të jap edhe këtë hyrje që kam këtu”.
Me këto fjalë, ai thekson me dhimbje jo vetëm vështirësitë e jetës, por edhe pasigurinë që ka pasur për të ofruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij, ndërsa shteti dhe autoritetet duket se e kanë lënë të vetëm në përballjen me sfidat e jetës. I moshuari është ankuar dhe ka vënë në dijeni çdo institucion si përfaqësues ligjor, por përveç premtimeve asnjë hap tjetër nuk është marr. Duke u shtrënguar t’i drejtohet derës së gjykatës.
Gasa shprehet se: “Jam ankuar dhe kanë hapur gjyqet, në gjyqin e parë zv.kryeministrja. Në bazë të Aktit Normativ na takojnë hyrjet më vete siç i kemi pasur”.
Një tjetër familje përballet me një problem të ngjashëm, që duket se ka të bëjë me një burokraci të pashpjegueshme dhe të pafalshme. Ata kishin dy banesa, por pas tërmetit, vetëm njëra prej tyre iu dha nga institucionet. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata janë ende të mbetur në pritje të asaj që duhet të ishte një zgjidhje e thjeshtë, një ndihmë që ka mbetur vetëm premtim.
Avokati Enver Shpata shprehet se “Bashkia për sa kohë se e ka përcaktuar me listën e të dëmtuarve dhe ka bërë më pas selektime që do të thotë se ëhstë e kundraligjshme”
Padyshim që ky është një tjetër shembull i administratës që nuk arrin të ofrojë një zgjidhje për ata që kanë vuajtur, e cila nuk është thjesht një histori për t’u treguar, por një realitet të cilin shumë qytetarë të këtij vendi vazhdojnë ta përjetojnë, duke mbetur në pritje të një “miratimi” që duket se nuk vjen kurrë.
***
Mirela Fifo një tjetër banore e Thumanës për Vetting shprehet se: Kam pas pallatin këtu. Kam pas 2 hyrje, por bashkia jonë ma ka refuzuar hyrjen tjetër”.
Me fjalët e saj, ajo shpreh një frustrim të thellë ndaj një sistemi që përpiqet t’i japë “zgjidhje”, por në fakt ka bërë më shumë dëm se sa mirë. Kjo është një situatë që pasqyron shumë prej problemeve që përballen qytetarët çdo ditëm premtime të thyera, shkelje të të drejtave dhe një administratë që nuk zgjidh problemin, por që është vet problemi.

Mirela Fifo thekson se pallati është shembur për rindërtim: “Sipas tyre jemi të pajisur. Ne kemi qënë të shkallës DS3. Kemi pritur lekët për ta riparuar pallatin dhe me hy dhe jo per të na i prish e mos të na e jepnin fare.
Denoncuesja shpërthen në ndjenjë zemërimi pasi shtëpia ka qënë me certifikatë pronësie e pajisur që në vitin 2006, por ky sistem nuk ia njohu të drejtën e pronës. Ky është një tregim i një familjeje, që pavarësisht se kanë kaluar një jetë të tërë duke punuar dhe kontribuar në këtë vend, nuk kanë mundur të gëzojnë atë që ligjërisht ju takon.
Më tej Mirela Fifo thotë se: “E kanë prishur për projekt në bashki, komunë i jemi drejtuar, s’na kanë dhënë zgjidhje. I jemi drejtuar Gjykatës kërkojmë pronën tonë, të fëmijës tim”.
Fifo akuzon dhe zbulon dhe një tjetër fytyrë të së vërtetës, ajo shprehet se ka pas dhe raste abuzimi.
“Ka familjar të tjerë që kanë pasur një plus një dhe kanë marr 3 plus 1 dhe unë që kam pas shtëpinë time me dokumenta dhe s’ma jep shteti. Ndërsa për të plotësuar sa e sa familje ka, shteti d.m.th ma merr mua, ia jep atyre”, sqaron Fifo.
Mirela nuk ka lënë vend pa u ankuar, por të gjithë i tregojnë para fytyrës një VKM të nxjerrë në kohë emergjence që mesa duket “shkel” edhe mbi Kushtetutën.
“Kam folur edhe vetë me kryetarin dhe s’kam vajt më, se me tha sipas ligjit je e plotësuar”.
Çështjen aktualisht edhe Mirela e ka depozituar në Gjykatë, por një rreze shprese e dhënë nga avokati mban këto familje me sytë nga peshorja e drejtësisë.
Fifo u shpreh se: Avokati thotë është pronë me dokumente nuk e mohon dot askush. Kërkojmë shtëpinë tonë, metrat katrore, nuk kërkojmë asgjë tjetër.
Denoncimet dhe dëmi që shteti i rëndoi individit pas tërmetit, vijon të mbetet një sforco.
“Totalisht e zhgënjyer. Nuk kemi gjetur asnjë të drejtë”, thekson Fifo.
***
Blerim Myrta pas tërmetit është diskriminuar pasi edhe pse e ndante vetëm një mur nga komshiu i tij. ASHK-ja i refuzon legalizimin e banesës ndërsa familjes tjetër ia pranon.
Blerim Myrta një tjetër banor i pallatit sqaron se: “Unë objektin e kam pas 187 m2, i kam patur me certifikatë pronësie. Ndërsa pjesën tjetër ka qenë në process legalizimi që para tërmetit. Më datë 10 prill 2020 më ka ardhur përgjigja që objekti është përjashtuar nga procesi i legalizimit”.
Rrjedhimisht edhe dëmshpërblimi ishte sa çereku i pronës që ai posedonte.

Avokati i çështjes shprehet se ky është një rast i paprecedent pasi në bazë të procedurave ligjore ashk duhet ta kishte registruar pronën sipas tij jemi në kushtete e diskriminit.
Avokati thotë: “Për njerëz të barabartë kanë bërë diferencime që për mua nuk janë aspak të ndershme as njerëzore dhe as të ndershme”.
Të gjithë këta qytetarë, janë në këtë situatë tragjike pikërisht për shkak të menaxhimit të gabuar të tenderave dhe fondeve publike, të cilat shpesh janë dhënë në kundërshtim me ligjin.
Vendimet e marra nga autoritetet shtetërore nuk kanë pasur si prioritet përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, por përfitimin nga kontratat e dyshimta dhe shpërndarja e fondeve përmes rrugëve të pandershme. Ky sistem ka krijuar një hendek të thellë midis premtimeve dhe realitetit, duke i lënë qytetarët pa të drejtat e tyre, duke e kthyer çdo mundësi për përparim në një iluzion. Kjo është një situatë ku jo vetëm që ata nuk gëzojnë asgjë nga ajo që u takon, por janë të detyruar të luftojnë nëpërmjet procedurave të pafundme ligjore, të cilat nuk sjellin asnjë rezultat konkret.
Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa analizon situatën duke theksuar se për shkak të menaxhimit të gabuar nga autoritet, problemi bie më pas tek banorët: “Pasojat e saj janë të qarta, produkte që kalojnë ndjeshëm për nga pikëpamja e cilësisë së tyre dhe kosto që shpesh herë i kemi parë që janë abuziviste”.
(BalkanWeb)