Tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë kanë shkaktuar deri tani mbi 5 000 të vdekur, sipas raporteve të reja zyrtare të publikuara sot.

Rajone të tëra u shkatërruan nga lëkundjet, të cilat lanë gjithashtu mijëra të plagosur dhe të pastrehë. Ja çfarë dimë deri tani për katastrofën:

KUR DHE KU?

Tërmeti i parë, me magnitudë 7,8 ballë Rihter, ndodhi në orën 04:17 (01:17 GMT).

Ndodhi në rrethin e Pazarcikut, në provincën e Kahramanmaras (juglindje) dhe në një thellësi prej rreth 17,9 kilometrash.

Pasuan dhjetëra pasgoditje, përpara një tërmeti të ri me magnitudë 7,5 ballë, në orën 10:24 GMT, sërish në Turqinë Juglindore, katër kilometra në juglindje të qytetit Ekinozu.

VLERËSIMI I PËRKOHSHËM I VIKTIMAVE

Më shumë se 5 000 persona humbën jetën dhe mijëra u plagosën në të dy vendet, me shumë njerëz të mbetur të bllokuar në rrënojat e mijëra ndërtesave.

Të paktën 3 419 njerëz u vranë në Turqinë Juglindore dhe 1 602 në veri të Sirisë, duke e çuar numrin total të të vdekurve në të paktën 5 021, sipas burimeve zyrtare dhe mjekësore.

DËMET MATERIALE

Disa vende arkeologjike janë prekur në Siri dhe në veçanti kështjella e Alepos, një xhevahir arkitekturor i epokës mesjetare dhe qyteti i tij i vjetër, i klasifikuar në vitin 2018 si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rrezik, pas vitesh lufte civile.

Në Turqi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan raportoi rreth 3 000 ndërtesa të shembura në shtatë provinca të ndryshme – 2 834 sipas AFAD, organi publik i menaxhimit të fatkeqësive në Turqi.

Në veçanti, qytete si Adana, Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, por edhe Iskenderun dhe Adiyaman, ku spitalet publike janë shembur, janë prekur.

NDIHMA

Sipas presidentit turk, 45 vende kanë ofruar ndihmën e tyre. Kjo duhet të fillojë të mbërrijë në Turqi të martën me ekipet e para të shpëtimtarëve, veçanërisht nga Franca dhe Katari.

SHBA ka premtuar të dërgojë rreth 160 shpëtimtarë dhe Pekini njoftoi të martën një ndihmë prej 5,9 milionë dollarësh, duke përfshirë shpëtimtarë të specializuar në zonat urbane, ekipe mjekësore dhe pajisje emergjente.

Pavarësisht tensioneve dypalëshe, si Greqia ashtu edhe Suedia kanë premtuar mbështetje për Turqinë.

Izraeli njoftoi se kishte miratuar dërgimin e ndihmave në Siri, pas një kërkese të Damaskut të marrë përmes kanaleve diplomatike, pasi të dy vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare.

Magrebi është mobilizuar gjithashtu me ekipe ndihmash të dërguara veçanërisht nga Algjeria dhe Libia, Tunizia ka urdhëruar dërgimin e 14 tonëve batanije dhe produkte ushqimore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: