Udhëheqja e gjashtë ministrive dhe posti i shtatë zëvendësministrave në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut që ka gjithsej 24 ministri, është hisja që shqiptarët me koalicionin VLEN kanë marrë nga pushteti i VMRO-DPMNE-së, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

Mandatin për të qeverisur Maqedoninë e Veriut emrin e së cilës madje e konteston, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, e nisi duke folur rreth nevojës për të shmangur veton bullgare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke premtuar se përgjatë mandatit si kryeministër s’do të lejojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Bazuar në këtë deklaratë dhe në përbërjen e re të Qeverisë, gazetarët shqiptar në Maqedoni të Veriut thonë se ka pak shpresa se do të bëhen realitet objektivat e partive shqiptare.

“Si duket anëtarët e VLEN-it që përbëhet nga 5 subjekte, 4 origjinale këtu në Maqedoninë e Veriut dhe nga Vetëvendosja e kryeministrit, Albin Kurti, si duke nuk iu kanë përmbajtur një marrëveshjeje të nënshkruar para fillimit të fushatës zgjedhore se ndryshimi i Kushtetutës do të jetë vija e kuqe për koalicionin e me partinë VMRO-DPMNE”, ka deklaruar Seladin Xhezairi – gazetar nga Maqedonia e Veriut

Xhezairi thotë se ndër të vetmin projekt që Qeveria e ka në program e që është i rëndësishëm për shqiptarët, është ndërtimi i autostradave në korridorin 8, ndërsa për rrugën me tunel nga Tetova për në Prizren shton se koalicioni VLEN ka dështuar ta fusë në programin e Mickoskit.

Këto nuk janë lëvizjet e vetme që ndërlidhen me faktorin shqiptar. Zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie mes Etniteteve, është emëruar serbi Ivan Stoilkoviq, aktiviteti dhe bindjet e të cilit po konsiderohen shumë problematike.

“Ai që prej vitit 2019 ka vizita të rregullta në Moskë dhe është pjesëmarrës i të ashtuquajturës konferencës së sigurisë në Moskë që organizohet nga Shërbimi rus sekret dhe në të cilët sikurse është e evidentuar ai ka qenë bashkë me Aleksandar Vulinin atë kohë shef i BIA-s së Serbisë”, është shprehur Burim Ramadani – ish-kryeinspektor i AKI-së

Stoilkoviq sipas ish kryeinspektorit të AKI-së njihet për qëndrime të rrepta anti-shqiptare, si përkrahës i Putinit dhe i influencës ruse, si përkrahës i “Botës serbe” madje edhe me dokumente si punëtor i BIA-s serbe dhe së fundi edhe i ka lavdëruar terroristët dhe grupin e Radojçiqit që kryen agresion dhe e vranë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Ndonëse nuk e kontestojnë orientimin pro serb dhe pro rus të Stoilkoviqit, gazetar nga Maqedonia e Veriut, janë të mendimit se sjellja e tij në pushtet do të jetë ndryshe.

“Mickoski sipas asaj që mendon unë ai ka intencën që të marr sa më shumë komunitete jo-shumicë, dhe në kuadër të lojës politike mendoj se Mickoski nuk është aq naivë dhe aq jo racionalë siç po e paraqesin që mos ta ketë vëmendjen tek tipi i këtij politikani që ka qenë kontravers”, deklaroi Fatos Rushiti – gazetar nga Maqedonia e Veriut.

Në Qeverinë me 24 Ministri, partitë shqiptare të koalicionit VLEN do të drejtojnë gjashtë prej tyre dhe do të kenë postin e zëvendësministrave në shtatë ministri./RTV Dukagjini

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb