TIRANË

Deputeti socialist Arben Pëllumbi, djali i një prej socialistëve të vjetër Servet Pëllumbit, ka qenë i ftuar sot në News24, rubrikën “Opinion” ku ka folur për zhvillimet politike në vend dhe përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, pjesë e dosjes 184 të Prokurorisë.

Lidhur me fjalorin e përdorur nga figura të larta të PS, ministra e deputetë, Pëllumbi tha se busulla e tij është morali por se nuk ndodhet në pozita për t’i bërë moral askujt. Të njëjtin qëndrim ai solli edhe nga babai i tij.

“Do të kisha preferuar që kolegët e mi të mos përdorin një fjalor të caktuar. megjithatë unë nuk e ndiej veten të aftë të bëj moral. Busulla ime në jetë është morali, edhe i familjes time, dhe siç më kanë edukuar përpiqem të edukoj edhe fëmijët e mi, por nuk e shikoj veten në pozita për t’i bërë moral askujt. Gjithësekush e përcakton vetë sidomos kur është në biseda private. Unë nuk e përdor atë lloj fjalori. Kaq. Babai im politikën e lidh shumë me moralin, madje ka botuar edhe një libër që politika do moral këshu që sigurisht edhe ai ka një perceptim.
Im atë mendon që demokracia në Shqipëri më në fund duhet të piqet. Nuk duhet të sillemi më si kalamaj, si inatçor nuk duhet të sillemi më si njerëz që i lejojmë vetes gjëra me koshiencë të gabuara. Kjo është një nga arsyet që ai mbështet qëndrimin e PS për të vajtur në zgjedhjet e qershorit.
Në qoftë se ndërhyrja ka sjellë edhe provën është prokuroria që merret. Ne si politikanë na takon të themi që në mënyrë të qartë distancohemi nga shkelja e ligjit. Përgjimet janë indicie dhe nuk janë prova. Provat i gjen prokuroria, i heton, i çon në gjykatë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse Damian Gjiknuri duhet të vijojë të jetë në krye të komisionit të reformës zgjedhore, Arben Pëllumbi tha se ai është një nga juristët më të mirë. Sa i përket gjuhës së përdorur dhe termit ‘tërmet’, ai pyeti nëse këtu ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme.

“Është një nga juristët më të mirë që kemi në këtë proces. Çfarë ka fjala ‘tërmet’? Ju përdorni ‘atomike’. Mund ta përdorin të gjithë atë gjë. Njeriu që habitet nga një gjë, mund ta përdorë. Po t’i interpretosh e i shkëpusësh ato përgjime, mund të arrish ku thoni ju. Çfarë ka të keqe të bësh karrierë, çdo njeri ka të drejtë.
E para nuk harton reformën zgjedhore, është bashkëdrejtues i atij komisionit. Fjalor rrugaçëror nuk i thoni dot, por i papërshtatshëm, në kontekst privat. Kemi dëgjuar shumë më tepër në sallën e parlamentit”, tha Pëllumbi.

Sa i përket mundësisë për shtyrjen e zgjedhjeve, deputeti i PS tha se do krijonim një ‘kazuz’ të jashtëzakonshëm. “Nuk jemi dakord për një datë tjetër, çfarë do bëjmë do rrijë kjo qeveri lokale. Pastaj vjen një qeveri tjetër thotë s’dua këtë qeveri. Minoranca s’mund t’ imponohet maxhorancës. Do doja shumë që partitë politike në të ardhmen të mos ishin forca që organizojnë protesta. protestat t’i organizojë dikush tjetër”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb