Nga Agron Gjekmarkaj

Një nevojë e vogël më çoi drejt zyrës në Kuvendin e Shqipërisë, i bindur se pushimet e gjata që Babo zemërgjëri ai që dergjet për njerëzinë i dha Republikës do t’i kishin bërë def të gjithë punonjësit! Por ashtu nuk qe! Një zetor dum-dum dukej në oborrin e brendshëm, i cili nuk fikej, por lëshonte gulçet e veta ritmike, si të ishin mendimet e Tezes! Nga dritarja dukej një si zdap, paskësh qenë, Sekretari i Pergjithshëm Genc Gjonçaj, që i sillej rreth, e kqyrte anash, maste me një metër dhe i bindur thoshte: “nuk i ze, nuk i ze, duhet shtuar”!

Kur befas u ngjit mbi rrimorkjo me lehtësi balerinash e ngulte ristela aty ku gjente vende bosh! Pastaj me një rrotullame shtrinte tel që të rritej volumi. Kureshtia me kaploi, nuk e fsheh! Zbrita në katin e dytë kur ç’të shoh? Niko Nikoqiri me një brigadë punonjësish mblidhte dhuratat që i kishin mbërritur për festa! Një mal me shporta dukej nga dera e hapur! Në një qoshe arka me verë, diku tjeter dëngje sallami, shishe me spumante, fiq të thatë, mish i tharë në tym, bidona me ullinj, vaj këmbe! Punëtorët me ritëm merrnin aty dhe i ngarkonin mbi “dum dum”! Një burrë pak i bëshëm, me flokët si të ngrirë nga ftoma e natës, po i stivoste! Po ti sa mirë ditke, i thanë!

Nga silueta dukej si Xhemali, edhe pse muzg, por kur foli dyshimet u daroviten, qe ai!

Dikush e pyeti ku ke mësuar, mos ke ngarkuar ato të Mamices ? Ai vëngër pa një pa dy, pa e lënë punen tha “Ku ha Mamica nga këto, ajo merr nektar lulesh s’e keni pare sa hollake është? Shpesh mendoj qe ushqehet me frymën e shënjtë dhe fjalimet e Babos, por ndihmova Xhafen e Shalsin aq sa na doli shpirti dy ditë për të hequr krozhat, thasët me patate e groshë, thasë me miell e zahiretë e tjera”! Por unë kam përvojë me mullarët që kam shkelur e lidhur rrëzë Dajti! Po të kisha edhe Nasipin, lere se ç’do vente!”

Kur ishte Tao këtu, ishte më e mundimshme se ngarkesat ishin ku e ku më të rënda, foli dikush! Shpesh i sillnin edhe sheka me djathë dhie si i pa yndyrë! Tao kishte respekt për traditën, po aq sa për stërhollimin e rafinimin! Nuk prishte qejf!

Shoferi përshpëriti “Tani e kuptova pse Shalsi i ka kaq te vyera mendimet, i paska nga grosha, ndaj buçet në parlament!

“Luani duart, luani duart” u dëgjua zëri i Gjonçajt dhe si bletë punëtore njerzia hynte e dilte nga zyra e Nikoqirit! Baza ushqimore, si tagjia e dimrit të stërgjatë, nuk kishte të sosur.

Toni Gogu kishte shkuar ta ndihmonte, por si zëvendëskryetar grupi në largim, kishte dhe ai hisen e tij.

Ai kishte vënë një palë shkallë që të merrte me kujdes qelqurinat apo enët !

“Vezë, vezë kujdes se janë fshati”, dëgjohej zëri i qashtër i Nikoqirit!

Nja dy orë zgjati kjo mesele!

Të fundit dolën Nikoqiri e Toni, me hap të shpejtë, duke dihatur me frymëmarrje rënkuese dhe me nga dy-tre vistra me salsiçe varur në qafë, si rruaza e gjerdanë, me nga dy proshuta për shoq nën sqetull dhe xhepat plot me lajthi!

Toni bulçinjtë i kishte mbushur me arra të qëruara, sa nuk fliste dot!

Niko, i menduar, tha “Ishallah nuk na sheh kush nga Opozita, se na dalin për hundësh, ma shkruajnë mishin e thiut për drogë e do më thërrasin Niko Narkomani! Kush e ndal Mond Spahon, apo nuk po hyjmë në fushatë, me dalin për hundësh, bashkë me gromësimat këto zahire! Dhe nga të bekuara, bëhen të nëmura!”

Xhemali me Gencin pritën ndonjë shpërblim, tek e fundit kishin djersirë për qamet, por u lanë në dorë nga një kavanoz me ullinj Berati ! “Një koqe nga ky ju bën esëll”, u tha Nikoqiri, teksa dum-dumi çante errësirën! “Tëmen e sëmës!, u dëgjua një rënkim! Nuk e dini se ç’bëhet poshtë ministrive se Kuvendin nuk e marrin shumë seriozisht! Aty ka ifa, skoda, tatrra e në disa raste edhe traktorë për të terhequr peshqeshet! Në një ministri të stërmadhe thanë që kishin parë një eskavator!

Një kamioni i jepte vetë Ulsiu, duke udhëhequr autokolonën! Ministri i Brendshëm u printe me sirena që të hapej rruga! Vengu kishte vënë ushtrinë në pika nevralgjike, që aroma mos të nxiste popullin në mësymje!

Gonxhe kishte kontrolluar gomat më parë! Bela kushte urdhëruar që të përforcoheshin urat, se mos shembeshin nga pesha!

Unë shtrëngova kalendarin kinez, të vetmim peshqesh që kisha marrë, me gojën që më shkonte lëng!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: