Nga: MENTOR KIKIA*

Për ditë e javë me radhë, një spot televiziv, i sponsorizuar nga qeveria, tregonte se çfarë mund të
ndërtohej me 150 milionë dollarë. Dhe, sipas qeverisë, me to bëheshin 15 shkolla të reja, bëheshin 10 spitale, 150 kilometra rrugë, bëheshin serra, kanale kulluese e vaditëse, bëheshin prita e argjinatura. Kaq ishte shuma që debitorët e energjisë, qytetarë të thjeshtë, paraplegjikë por edhe biznese të mëdha, nuk i paguanin shtetit në një vit.
Kjo fushatë sensibilizimi shoqëronte një nga reagimet më të forta të një qeverie në këta 25 vjet post komunizëm, për t’i dhënë fund një prej vjedhjeve publike më të mëdha dhe bashkë me të një prej praktikave shtetshkatërruese të amnistimit qeveritar të atyre që nuk e paguanin energjinë.
Por ditët e fundit mësuam se, nuk ishin vetëm borxhlinjtë e energjisë që i kishin rënë më qafë shtetit tonë anemik. Shpërthimet që i nxorën ujin e zi Marinzës në Fier, i nxorën ujin e zi edhe një prej marrëveshjeve të shumëkomentuara mes qeverisë dhe një prej kompanive më të mëdha të huaja që operon prej vitesh në Shqipëri, “Bankers Petroleum”. Një kontroll financiar (audit) i përfunduar muaj më parë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mbi kompaninë “Bankers”, kishte dalë në përfundimin se kompania duhej të kishte filluar ta paguante tatimin mbi fitimin që në vitin 2011. Sipas kontratës, kompania do të fillonte të paguante tatim-fitimin pasi të kishte shlyer investimin, d.m.th. të kishte fituar aq para sa investoi kur mori me koncesion fushat e naftës. Dhe pikërisht sipas këtij kontrolli, “Bankers” i ka nxjerrë paratë që investoi që në 2011-ën dhe që nga ajo kohë duhej të kishte nisur të paguante 50% të fitimit për llogari të shtetit. Sipas këtyre llogarive, vetëm për vitin e kaluar “Bankers” duhej të kishte paguar për buxhetin 64 milionë dollarë taksa. Tani, se çfarë mund të bëhet me 64 milionë dollarë, them që të marrim të gjitha ato që do të bënte qeveria me paratë e papaguara të energjisë dhe t’i pjesëtojmë për dy. Dhe kaq vetëm me “Bankers”-in. Por, sa kompani koncesionare operojnë në Shqipëri në fushën e naftës, mineraleve, energjetikës etj.? Dhe të gjitha veprojnë në të njëjtat kushte financiare. Pa nxjerrë paratë e investimeve, nuk i paguajnë shtetit tatim-fitimi. Dhe të gjithë luajnë me bilancet e tyre, për ta shtyrë sa më shumë kohën e fillimit të kësaj pagese.
Publikimi i këtij raporti u pasua nga një fjalim nervoz i kryeministrit Rama. Ndërsa fliste në një analizë të OSHEE-së, ku po bëheshin bilancet e parave që ishin arkëtuar nga operacioni “paguaj ose në burg”, Rama bëri deklaratat më të ashpra ndaj kontratave koncesionare që nga koha që ishte në opozitë. Për të shmangur kontestimet e kompanisë kanadeze, ai tha se do të kërkojë një audit ndërkombëtar dhe se nuk do të lejojë më që të huajt të zhvasin pasuritë tona kombëtare.
U desh të dilte uji i zi në Marinzë, për të plasur edhe problemi i madh i dallavereve e matrapazllëqeve që janë bërë me pasuritë kombëtare. Qeveritë nënshkruese, më të shumtat gjatë tetë viteve të qeverisjes së Berishës, i kanë bërë kontratat dukshëm në favor të koncesionarëve, dhe kjo jo për shkak të paaftësisë.
Dhe kjo dukuri nuk lidhet vetëm me naftën. Në të njëjtën mënyrë janë dhënë me koncesion zonat minerare, kryesisht ato të kromit, ku banorët lokalë janë shndërruar në skllevër të kompanive shfrytëzuese dhe aktualisht bëjnë pjesë te njerëzit më të varfër në vend. Eksportet e kromit, që çdo vit përbëjnë zërin më të rëndësishëm të eksporteve në tërësi, fare pak ndikojnë në thesin e të ardhurave të shtetit, i cili, për pasojë ka të pamundur të ndërtojë qoftë edhe një qendër shëndetësore apo një shkollë për të qenë, për njerëzit që jetojnë në këto zona. Një barbarie të ngjashme u janë nënshtruar edhe pasuritë ujore. Në të gjithë rrjetin lumor, qeveria ka dhënë plot 480 licenca koncesioni për ndërtim hidrocentralesh. Praktikisht, çdo përrua që rrjedh do të futet në tubacione, duke mos kursyer as parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura natyrore e duke shkatërruar vendbanimet e njerëzve dhe kafshëve.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb