TIRANË

Maxhoranca kërkon me ngulm shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe ka nisur hapat për të realizuar qëllimin e saj dhe në këtë mënyrë për të zhbërë dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ku nuk merr pjesë opozita.

Sot maxhoranca miratoi rezolutën me mbi 10 pika ku i kërkohet reflektim Presidentit por nga ana tjetër zyrtarizon hapat për shkarkimin e tij. Kjo, pasi duke qenë se Shqipëria është Republikë Parlamentare, fuqinë e ka parlamenti, në këtë rast, Parlamenti me 100 vota pro, votoi kundër vendimit të Presidentit për të anuluar zgjedhjet. Në këtë mënyrë, pas rezolutës i lind e drejta për vijimin e hapave të mëtejshme.

Regullorja e Kuvendit është ajo që përcakton qartë hapat në nenin e saj “Shkarkimi dhe pamundësia në ushtrimin e detyrave të Presidentit të Republikës”, ku thuhet se “Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mund të propozojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkaqet e parashikuara në nenin 90 pika 2 të Kushtetutës”.

Kërkesa sipas rregullores, duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë.

“Me paraqitjen e propozimit, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës. Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve”, thuhet më tej.

Po kështu, përcaktohet se ‘Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në përputhje me kohën e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje’.

“Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës ndërpritet. Kuvendi për të njëjtin motiv nuk mund të vendosë përsëri edhe nëse kërkesa paraqitet nga një grup tjetër deputetësh. Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur”, parashikon rregullorja.

Më tej thuhet qartë se ‘në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës’.

“Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë”, thuhet në rregullore.

Rregullorja parashikon se Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.

“Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij. Në rast se kërkohet shpallja e pamundësisë për të ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës, komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të Presidentit të Republikës. Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga data e vërtetimit të pamundësisë”, përcakton Rregullorja e Kuvendit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb