Tanimë që presidenti Joe Biden ka vendosur të mos kandidojë për t’u rizgjedhur në nëntor përballë Donald Trump, demokratët kanë një sfidë të paprecedentë, duke qenë se sezoni tradicional i garës së nominimeve të kandidatëve ka kohë që ka përfunduar.

Biden të dielën miratoi zv/presidenten Kamala Harris që të jetë kandidatja e demokratëve këtë vjeshtë, por ai nuk mund ta bëjë atë automatikisht kandidate.

Siç raportoi për herë të parë CNN në muajin shkurt, delegatët individualë tani do të zgjedhin kandidatin e partisë në punimet e kongresit në Çikago – ose, potencialisht, gjatë një takimi virtual të planifikuar paraprakisht për në fillim të gushtit.

Këta delegatë nuk janë zotuar vetëm të votojnë për Biden; janë miratuar edhe nga fushata e tij. Pra, nëse shumica e delegatëve të konventës mund të vendosin të zgjedhin një kandidat të ri, për ta bërë fakt do të duhej të kishte dezertime masive nga vetë mbështetësit e presidentit.

Zgjidhja për zëvendësimin mund të jetë përçarëse dhe e shëmtuar për shkak të asaj se si mund të “luhet” brenda demokratëve. Do të jetë në dorën e delegatëve të vendosin, në një seri votash pas lobimeve të furishme në ditët në vijim, se kë të zgjedhin përballë Donald Trump në nëntor.

Nga ana e demokratëve, ka edhe një grup tjetër për t’u marrë në konsideratë: “superdelegatët”, një grup prej rreth 700 liderësh të lartë partiakë dhe zyrtarë të zgjedhur që janë automatikisht delegatë në kuvend bazuar në pozicionin e tyre.

Sipas rregullave normale të partisë, ata nuk mund të votojnë në votimin e parë nëse ndryshon nominimi, por janë të lirë të votojnë në fletëvotimet pasuese. Megjithatë, nuk është saktësisht e qartë se si do të zbatohen këto rregulla në ngjarjen e paprecedentë që Biden shkaktoi tashmë, duke u larguar nga gara në këtë pikë.

Numri i superdelegatëve gjithashtu mund të ndryshojë nëse dikush vdes ose jep dorëheqjen. Sheila Jackson Lee, kongresmenia jetëgjatë e Teksasit, vdiq më 19 korrik, duke ulur me një numrin e superdelegatëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb