Debati që nisi pas postimit të fotos së një fustani në rrjetin social “Tumblr” ka ngritur disa pyetje shkencore të rëndësishme se përse disa njerëz e shohin atë në ngjyra të ndryshme.
A është ai i bardhë dhe i artë, apo i zi dhe blu? Duket se ekspertët kanë disa përgjigje, por gjithçka lidhet me mënyrën sesi funksionon truri ynë.
Ja shpjegimi: Një strukturë në pjesën e pasme të syrit, e quajtur retina, përmban qeliza të njohura si foto receptorë. Foto receptorët i kthejnë rrezet e dritës në sinjale nervore, të cilat përpunohen më pas nga qelizat nervore në retinën e brendshme, i dërgohen trurit dhe përkthehen në imazhe. Dy tipat e foto receptorëve njihen si cilindrat dhe konet. Të parat janë përgjegjëse për shikimin periferik dhe shikimin natën. Ato kapin ndriçimin dhe hijet e grisë. Ndërsa të dytat janë përgjegjëse për shikimin ditën dhe perceptimin e ngjyrave.
Njerëzit kanë një përqendrim të ulët të cilindrave dhe një përqendrim të lartë të koneve dhe kjo shpjegon pse ne nuk shohim aq mirë natën. Ne kemi tre tipa konesh, ku secili sheh një nga tre ngjyrat bazë: të gjelbrën, të kuqen dhe blunë. Kur drita bie mbi syrin tonë, receptorët i kthejnë këto ngjyra në sinjale elektrike, që i dërgohen trurit. Truri ynë përcakton ngjyrën nga bashkimi i sinjaleve që vjen nga çdo receptor. Pra, fustani është blu dhe i zi. Është ndriçimi i imazhit, që i ngatërron njerëzit e që i bën pjesët blu të duken si të bardha dhe pjesët e zeza, si ngjyrë ari.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb