Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e ftuar për raportim në Komisionin parlamentar të Sigurisë ka tronditur deputetët me një deklaratë të fortë paralajmëruese: “duhet të jemi alert ndaj çdo gjëje që fqinjët tanë bëjnë”.

“BalkanWeb” ka mundur të sigurojë sot procesverbalin e plotë të mbledhjes së pak ditëve më parë, ku Kodheli edhe pse nuk ka dhënë detaje të tepërta për shqetësimin e ngritur ka garantuar ligjvënësit se Forcat e Armatosura janë në gadishmëri për të mbrojtur në çdo rast sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë.

Sqarimi i saj, referuar procesverbalit të mbledhjes erdhi si përgjigje ndaj shqetësimit të ngritur nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho lidhur me stërvitjen ushtarake të zhvilluar pak muaj më parë pranë kufirit shqiptar nga ushtria greke.
siguria 1
“Pati ca veprime të nxituara e jo të mirëmenduara, një lloj nevrikllëku, në deklarimet e ministrit grek të Mbrojtjes. Ju debatuat me të. Si është situata tashti? Madje ata afruan edhe trupa në kufi, por mua m’u dukën më tepër si lodra se sa si veprime të mirëfillta ushtarake. Megjithatë, ju e dini më mire”, – i është drejtuar Braho, Kodhelit, raporton “BalkanWeb”.

Nga ana e saj ministrja e Mbrojtjes, e ka cilësuar këtë stërvitje pranë kufirit të Forcave të Armatosura të Greqisë si “lodra ushtarake”. Ndërkohë që ka shtuar se “Fakti që ne, si vend që kërkojmë të futemi sa më shpejt të jetë e mundur në BE, si vend anëtar i NATO-s, si vend që kërkojmë të jetojmë në paqe dhe harmoni me fqinjët dhe e kërkojmë këtë çdo ditë me politikën tonë të jashtme, me politikat tona të mbrojtjes apo me deklaratat e përfaqësuesve më të lartë politik, nuk do të thotë që nuk duhet të jemi alert ndaj çdo gjëje që fqinjët tanë bëjnë. Shpeshherë fqinjët tanë, dhe këtu vijmë te përgjigjja e pyetjes suaj të tretë, hedhin parulla për konsum të brendshëm politik. Kështu që, ne duhet të ndajmë se cilat janë për konsum të brendshëm dhe cilat janë parulla apo deklarata që cenojnë sadopak sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, – është shprehur Kodheli.
siguria 2
Ajo gjithashtu ka shtuar se “në momentin që nëpërmjet mediave dëgjohen deklarata apo dilet në publik i veshur në një mënyrë, kur duhet të vishesh në një mënyrë tjetër, nuk e ka penguar Shqipërinë të jetë pjesë e një misioni që ruan brigjet e aleatëve tanë turq dhe grek në detin Egje. Pra, ajo çka ne eksportojmë, dhe kjo është shumë e rëndësishme, është prezenca në misione që flasin për më shumë siguri të kufijve të tyre dhe për më shumë prezencë ushtarake tonën në kufijtë e tyre në ndihmë jo vetëm të refugjatëve, që prodhon lufta në Lindjen e Mesme, por në ndihmë edhe të popullsisë vendase, qoftë të popullsisë turke, që laget nga ujërat e detit Egje, qoftë asaj greke. Kjo është përgjigjja që ne japim dhe ky është misioni ynë”, – ka sqaruar Kodheli.

KAMMENOS PARALAJMËROI SHQIPËRINË
Rreth 3 muaj më parë ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos shfrytëzoi një vizitë blic në një nga pikat kufitare me Shqipërinë për t’i përcjellë një mesazh të fortë Tiranës zyrtare. I pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka folur prerë duke paralajmëruar Tiranën se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare. Nga këtu dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare për të bërë deklarata provokuese. Përgjigja e jona është e qartë, Greqia është e vendosur të mbrojë sovranitetin kombëtar të vendit dhe të  respektojë të drejtën ndërkombëtare”, – paralajmëroi Kammenos.

Deklaratat e tij u bënë 1 muaj pasi Greqia dislokoi në kufirin me Shqipërinë tanket dhe mjetet e saj të rënda më moderne luftarake në kuadrin e një stërvitjeje të koduar “Mburojë çeliku”. “BalkanWeb” siguroi ekskluzivisht një video të përgatitur nga ushtria greke, ku dëgjoheshin qartësisht urdhrat për goditjen e “objektivave”.

Bëhej fjalë pikërisht për stërvitjen e Brigadës së 8-të sulmuese të ushtrisë greke, në përbërje të së cilës ishin efektivët më elitarë të këmbësorisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb