TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se nëse i preket një fije floku deputetëve apo përfaqësuesve të opozitës do të mbajë përgjegjësi me kokën e tij.

Në një deklaratë nga selia e PD, Basha denoncoi ngjarjet e ndodhura sot në Jalë gjatë aksionit të IKMT.

“Edi Rama çoi në Jalë forca të shumta policore për të grabitur tokën e çmuar të Jalit. Ndërhyrja ka qenë e dhunshme, e paligjshme dhe kanë arrestuar edhe të mitur
Sipas dëshmive të banorëve toka do t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Mbrojtjes për t’u shndërruar më pas në pasuri të miqve të Ramës.
Banorët vunë në dukje se qeveria po shemb ndërtesat e tyre pa lajmërim, me pretendimin se janë pa leje, ndërsa kompleksin e Alban Xhillarit, një nga financuesit kryesorë të pasurisë 200 milionë eurosh që OSBE ka deklaruar se Edi Rama posedon, pra kompleksin e Alban Xhillarit, donatorit të Edi Ramës, që ka zaptuar të gjithë bregun e Jalit, nuk e prek.
Deputetët e PD Agron Shehaj dhe Nada Meçorapaj u nisën pasi konflikti në Jal shpërtheu dhe policia po dhunonte banorët”, deklaroi kreu i PD-së.

Ai akuzoi IKMT dhe Policinë se u sollën si banditë me banorët dhe me deputetët e opozitës.
“Kryeinspektori Fatmir Meta, Fatmiri i Nasibesë siç njihet ndryshe, kërcënoi deputetin e PD, Agron Shehaj, ndërsa Shehaj po bënte detyrën në krah të qytetarëve, duke i kërkuar kryeinspektorit llogari për veprimet e tij antiligjore.
Për ata që nuk e njohin se janë të rinj ose për ata që e kanë harruar historinë e 20 vjetëve më parë, Fatmir Meta është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në periudhën më të errët.
Me makinën e shefit të komisariatit të Tropojës Fatmir Meta, banda udhëtoi më 12 shtator 1998 për në Tiranë dhe i bëri atentat heroit të demokracisë Azem Hajdari.
Po atë natë, me makinën e shefit të tyre Fatmir Meta, banda e veshur me uniformën e policisë u kthye në Tropojë e pandaluar nga askush.
Nën përgjegjësinë e plotë të Fatmir Metës, komisariati i Tropojës veshi nën uniformë bandën e Haklajve që terrorizuan të gjithë veriun e Shqipërisë.
Gjatë kësaj periudhe në territorin ku drejtonte rendin dhe sigurinë publike së bashku me bandën, u vodh 3 herë banka e kursimeve të Tropojës dhe u vranë 86 qytetarë, një prej të cilëve oficer i Policisë së Shtetit, brenda ambienteve të komisariatit. Të gjitha me autor bandën e Haklajve”, theksoi Basha.

Duke folur sërish për inspektorin e IKMT, Basha tha se PD do depozitojë kallëzim ndaj tij.
“Fatmir Meta u emërua në krye të komisariatit të Tropojës pasi shërbeu si anëtar i bandës së Zani Çaushit. Që prej ardhjes së Edi Ramës në pushtet, bashkëpunëtori në vrasjen e Azem Hajdarit, i shërben bandës së Edi Ramës.
PD do të depozitojë një kallëzim për kryebanditin Fatmir Meta. Drejtësia e ka shpëtuar njëherë për vrasjen e Azem Hajdarit, kamikazët e Edi Ramës në drejtësi mund t’ia bëjnë të lehtë lër pak muaj, por rrota e drejtësisë do të kapë për bishti”, u shpreh kreu i PD.

Ai paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se do mbajë përgjegjësi nëse preken deputetët e PD.
“Ndërsa padronit të tij, Edi Ramës po i jap këtë paralajmërim: një fije floku po iu prek çdo deputeti apo përfaqësuesi të opozitës nga banditi yt Fatmir Meta apo banditët e tjerë që ke lëshuar si zagarë në të gjithë Shqipërinë, përgjegjësinë do ta mbash ti dhe vetëm ti Edi Rama me kokën tënde”, përfundoi kreu i PD-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb