TRIPOLI

Në Libi, dy forca kundërshtare po mund të përplasen ushtarakisht për të marrë nën zotërim Tripolin. Ushtarët e Libisë Perëndimore janë zotuar se do të mbrojnë Tripolin nga përparimi ushtarak i mareshalit Haftar.

Mareshali Khalifa Haftar ka një ushtri më vete dhe ka nën kontroll zona të Libisë lindore, ndërsa forcat shtetërore aktuale, njohur nga OKB janë në anën perëndimore. Policia në qytetet e Zawiya dhe Misrata postuan mesazhe në rrjetet sociale, duke thënë se do të përballen me Haftar.

“Ne jemi të gatshëm të përballemi me Haftar”, deklaruan ata. Libia është ndarë në dy fraksione, që pas rënies nga pushteti të Muamar Gaddaf. OKB dhe shtetet e mëdha mbështesin qeverinë e kryeministrit aktual libian Fayez al-Sarraj. Mirëpo, kjo qeveri kontrollon vetëm Perëndimin dhe Tripolin, e jo lindjen.

Në një deklaratë të përbashkët të enjten, SHBA, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bënë thirrje për përmbajtje. Ata thanë se kërcënimet ushtarake mund të zhysin Libinë në kaos.

Që pas rënies nga pushteti të Gaddaf më 2011, Libia ka hyrë në një fazë të dhunës dhe tensionit. Përpjekjet e njëpasnjëshme të udhëhequra nga OKB për të bashkuar institucionet kyçe të Libisë, duke përfshirë bankën qendrore dhe organet politike, kanë dështuar dhe instalimet e mëdha të naftës në vend janë mbajtur shpesh si shpërblim nga një sërë grupesh të milicisë.

Anas El Gomati, nga Instituti i Sadeq tha se Tripoli në ditët në vijim mund të shndërrohet në “arenë lufte”. Ai tha se Haftar duhet ndalur. Për situatën u deklarua edhe sekretari i OKB Antonio Gueterres, i cili bëri thirrje për vetëpërmbajtje.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb