Një situatë e tensionuar është krijuar në këto momente te Unaza e Re ku banorët e Astirit vijojnë protestën. Pranë tyre ka shkuar vetë kryedemokrati Lulzim Basha, i cili në një lidhje direkte me studion e emisionit “Dritare me Rudinën” në News 24 tha se me urdhër politik policia kishte shkuar sot në zonë për terror dhe për të shoqëruar banorët që protestojnë prej 4 muajsh.

“Pushteti ilegjitim i ngritur mbi votën e vjedhur nga bandat po i shërben bandave. Policia kishte marrë urdhër të shoqëronte banorët që kanë 4 muaj që protestojnë për aferën që Damian Gjinkuri duhet të ishte në burg dhe Edi Rama të merrej i pandehur. Një urdhër politik i ardhur nga nivele të larta, supozohet Lleshaj dhe Rama për të kryer akte terrori. Kur bisha plagoset bëhet më e rrezikshme. Këta e kanë kuptuar që po ju vjen fundi. Këta kanë dalë nga bandat dhe ju shërbejnë bandave”,- tha Basha.

Kryedemokrati nga ana tjetër refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetarit Shpëtim Nazarko. Kurse gazetari Erjon Skëndaj nga terreni thotë se banorët u shpërndanë pasi morën siguri nga Basha se nuk do të ketë shoqërime këtë mbrëmje.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb