Dashamirësit e kafesë në Evropë po përgatiten për çmime më të larta pasi katastrofat natyrore kanë goditur dhe vazhdojnë të godasin dy vendet më të mëdha prodhuese të kafesë në botë.
Sipas mediave të huaja, thatësirat në Brazil, prodhuesi më i madh i kafesë në botë, dhe tajfunet e fuqishme në Vietnam, prodhuesi i dytë më i madh, kanë ndërprerë ndjeshëm zinxhirët globalë të furnizimit të kafesë, duke rritur kostot e prodhimit që po reflektojnë edhe te konsumatorët.
Si një nga rajonet më të mëdha në botë i konsumimit të kafesë, Evropa, përkatësisht konsumuesit në këtë rajon, do ta kenë veçanërisht të vështirë për “të gëlltitur rritjet e çmimeve”.
Ndryshe, evropianët konsumojnë afërsisht 3.2 milionë tonë metrikë kafe në vit, që përbën pothuajse 33% të konsumit total të kafesë në botë, sipas kompanisë gjermane të të dhënave të konsumatorit Statista.
Fatkeqësitë natyrore kanë bërë kërdinë
Sipas shkrimit të Euronews, përcjell Telegrafi, Brazili, përgjegjës për rreth 40% të prodhimit të kafesë në botë, është përballur me një nga thatësirat më të këqija në dekada.
Kushtet e thata kanë ndikuar rëndë rajonet e saj të rritjes së kafesë arabica dhe kanë reduktuar rendimentet.
Cikli i të korrave 2023-2024 ka parë tashmë një rënie të madhe të prodhimit, me disa vlerësime që theksojnë se prodhimi mund të bjerë deri në një të pestën (20%).
Ndikimi është ndjerë më i mprehtë në Minas Gerais, shteti më i madh i prodhimit të kafesë në Brazil dhe shtëpia e kokrrave të cilësisë së lartë arabica, që ka përjetuar muaj me reshje nën mesataren.
Ndërsa Brazili dominon tregun me arabica, Vietnami është prodhuesi kryesor në botë i kokrrës robusta më të lirë – të përdorur në “kafenë e çastit”.
Në fillim të këtij muaji, disa rajone kryesore të vendit për kultivimin e kafesë u shkatërruan nga tajfuni Yagi, i cili vrau të paktën 60 njerëz dhe la qindra të lënduar.
Vlerësimet e hershme thonë se mijëra hektarë plantacione kafeje u prekën, me humbje të konsiderueshme si për korrjen aktuale ashtu edhe për potencialin e ardhshëm të prodhimit, pasi pemët e dëmtuara do të duhen vite për t’u rikuperuar.
Çmimet në një nivel të lartë 10-vjeçar
Efektet e kombinuara të thatësirës së Brazilit dhe tajfunit të Vietnamit kanë shkaktuar një rritje të mprehtë të çmimeve globale të kafesë.
Organizata Ndërkombëtare e Kafesë (ICO), organi ndërqeveritar i përbërë nga vendet eksportuese dhe importuese të kafesë, raportoi se çmimet u rritën me gati 20% në tremujorin e tretë të 2024, duke arritur nivelet e tyre më të larta në pothuajse një dekadë.
Katharina Erfort, nga kompania ndërkombëtare e menaxhimit të zinxhirit të furnizimit Inverto është me pak shpresë për mundësinë e një rikthimi në çmimet normale, së shpejti.
Duke folur për Euronews Business, ajo tha: “Një rimëkëmbje e shpejtë për sektorin e kafesë nuk ka gjasa, edhe me përmirësime të mundshme në furnizim”.
“Efektet e vazhdueshme të ndryshimit të klimës e bëjnë të vështirë kthimin e shpejtë në stabilitet. Sektori mbetet i prekshëm ndaj modeleve ekstreme të motit që mund të vazhdojnë të pengojnë të korrat e ardhshme. Përveç kësaj, rritja e kërkesës globale, veçanërisht në tregjet në zhvillim si Azia, mund të vazhdojë të ushtrojë presion në rritje mbi çmimet, duke ngadalësuar më tej përpjekjet e rimëkëmbjes”.
Rritjet e mprehta të çmimeve kanë shkaktuar tronditje në tregun global të kafesë.