Në Bruksel pritet të takohen mbrëmjen e sotme delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë të mundshëm. Ky takim pason incidentin me trenin, ndërtimin e murit në Mitrovicë dhe arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa mediat flasin se pas bisedimeve të ndara në tryezë do ketë edhe një “darkë pajtimi”.

Kosova në këtë takim përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, kurse Serbia nga presidenti Tomisllav Nikoliç dhe kryeministri, Aleksandar Vuçiç.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ndërmjetëse e këtij takimi, fillimisht do të takohet me delegacionin e Serbisë e më pas me atë të Kosovës.

Pas këtyre takimeve të ndara është planifikuar një darkë pune me përfaqësuesit e dy delegacioneve të Brukselit.

Siç bën me dije lajmi.net bisedimet do të fillojnë në orën 19:00 ndërsa darka në orën 20:00.

Në këtë takim do të diskutohet vazhdimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si dhe zbatimi i marrëveshjeve të deritashme.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: