Analistja dhe ish-ambasadorja Alma Lama, në një intervistë me Skype në rubrikën Çështja e ditës në News 24 të moderatorit Klevin Muka, dha mendimin e saj se çfarë mund të ndodhë me Kosovën nën administratën e Donald Trump.
Lama theksoi se ideja e ndarjes së Kosovës është e rrezikshme dhe ide e Beogradit. Sipas saj, ndarja e Kosovës është një ide e keqe dhe nuk është zgjidhja mbi të gjitha. Lama tha se Albin Kurti ka pasur raporte jo të mira edhe me administratën e Biden dhe beson se do ketë raporte jo të shëndosha edhe me administratën Trump.
Ish-ambasadorja Alma Lama: Ka një hezitim e frikë në qeverinë e Kosovës, pasi Grenell ka pasur raport të acarruar me Albin Kurtin. Richard Grenell përflitet se do ketë pozita të larta në administratën e Trump. Grenell ka kritikuar qeverinë e Kosovës, sidomos për aksionet në veri. Populli i Kosovës beson se Amerika është një vend mik i përhershëm. Një marrëveshje ekonomike mes Kosovës e Serbisë, që u nënshkrua në zyrën e Donald Trump, kur ai ishte president, nuk është zbatuar.
Ndarja e Kosovës nuk do ishte zgjidhje. Marrja e veriut është ambicie e Beogradit dhe ata presin presidentin Trump si të tillë, për të realizuar projektet e tyre, por varet se kush do të jetë në administratën e Donald Trump. Edhe raporti i Trump me Europën është shqetësues. Duhet thënë se Albin Kurti ka sfiduar Amerikën, pasi edhe aksionet në veri janë ndërmarrë pa pyetur SHBA-të. Është kritikuar Kosova për sjelljen ndaj minoriteteve nga partnerët tanë. Nuk është çudi që të provokohet kryengritje nga serbët në veri, të viktimizohen dhe të kërkojnë të drejtën e shkëputjes.
(Balkanweb)