Deputetët e PD-së nuk do të lejojnë normalitetin në Kuvend. Kjo u vendos në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ndërsa Gazment Bardhi tha se në seancë do të marrin pjesë vetëm ata ligjvënës që nuk janë të përjashtuar.
“Deputetët e opozitës që nuk janë të përjashtuar do të marrin pjesë në seancë dhe do të bëjnë çfarë është e mundur që të mos lejojnë normalitetin në seancë”, tha Bardhi.
Ai mohoi që të ketë pasur debate të zjarrta në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, ndërsa theksoi se deputetët e përjashtuar pa ligj dhe pa rregullore nga punimet e Kuvendit do të shpërndahen në zonat që mbulojnë për të organizuar strukturat lidhur me protestën e së martës pasdite.
“Deputetët e përjashtuar nga ky moment do të bashkohen me kryesitë e degëve të PD-së, sipas zonave që janë përgjegjës, për të organizuar punën lidhur me protestën e 29 tetorit. Kjo protestë është në funksion të mosbindjes civile dhe do të organizohet në 6 pika”, tha Bardhi.
Ai tha se aksioni opozitar do të vijojë, qoftë brenda sallës së Kuvendit ashtu edhe me protestat, sikundër do të jetë ajo e së martës që do të nisë në orën 17:00.
Kreu i deputetëve demokratë pati një paralajmërim edhe për Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili përmes një njoftimi zyrtar paralajmëroi se bllokimi i rrugëve është vepër penale.
“Ilir Proda është një i emëruar nga bandat e Elbasanit, të rrijë edhe ca ditë në detyrë dhe do e shihni se çfarë do të dalë”, paralajmëroi Bardhi, duke theksuar se ashtu si edhe më parë edhe ky denoncim i opozitës do të dalë i vërtetë.
Bardhi tha se Policia e Shtetit është njoftuar për protestën, duke shtuar se ashtu siç bllokohen rrugët kur organizohen nga Bashkia e Tiranës maratonat, edhe në këtë rast do të bllokohen rrugët nga mosbindja civile e qytetarëve.