BRUKSEL – Komisioni Evropian njoftoi të premten se duke filluar nga fundi i muajit tetor do të zbatojë tarifa ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë pas një votimi që ndau shtetet anëtare të bllokut në dysh.

Komisioni vendosi tarifa që shkojnë nga 7.8 për qind për makinat e markës Tesla, deri në 35.3 për qind për markën SAIC dhe ato të prodhuesve të tjerë që konsiderohen se nuk bashkëpunuan me hetimet e Bashkimit Evropian kundër subvencioneve. Këto janë tarifa shtesë krahas taksës standarde doganore të BE-së për makinat prej 10 për qindësh.

Vota e Bashkimit Evropian

Propozimi i Komisionit Evropian u miratua vetëm me 10 vota në favor, 5 vende votuan kundër dhe 12 abstenuan.

Propozimi do të ishte hedhur poshtë nëse 15 shtete anëtare, që do të përfaqësonin 65 për qind të popullsisë së BE-së, do të kishin votuar kundër.

Komisioni po ashtu mund të kishte ndryshuar propozimin për të siguruar një përkrahje më të gjerë, por vendosi të mos e bëj një gjë të tillë, duke thënë se kishte siguruar përkrahjen e mjaftueshme.

Tarifat e reja fillojnë të zbatohen më 31 tetor dhe do të jenë të fuqi për 5 vjet.

Bisedimet me Pekinin

Komisioni Evropian tha se është i gatshëm të vazhdojë të negociojë për një zgjidhje alternative ndaj tarifave me Kinën edhe pasi të fillojë zbatimi i tyre.

Krahu ekzekutiv i BE-së tha muajin e kaluar se mund të shqyrtojë sërish marrëveshjet tregtare me kompanitë kineze që do të përfshinin çmimin minimal të makinave kineze si dhe do të përcaktonin sasinë totale të importit të tyre. Në të kaluarën Komisioni i ka hedhur poshtë ofertat e kompanive kineze.

Një opsion që po negociohet aktualisht është një skemë e çmimeve minimale të importit të llogaritura në bazë të disa kritereve siç janë distanca që përshkruan, jetëgjatësia e baterisë dhe madhësia e makinës elektrike, krahas specifikave tjera si me 2 apo katër rrota aktive, tha një burim që ka njohuri mbi këtë çështje.

Komisioni ka thënë se çfarëdo alternative që ofrohet duhet të jetë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Hakmarrja kineze

Me një vendim, që shihet si shenjë hakmarrjeje, Kina ka nisur hetimet e saj ndaj eksporteve të BE-së të mishit të derrit dhe alkoolit dhe ka filluar një hetim kundër subvencioneve ndaj prodhimeve të qumështit nga BE-ja, por ende nuk ka njoftuar ndonjë masë.

BE-ja u ankua për hetimet e Kinës rreth produkteve të qumështit në Organizatën Botërore të Tregtisë javën e kaluar.

Ministria kineze e Tregtisë gjithashtu ka takuar shoqatat e prodhuesve të makinave dhe përfaqësues të kësaj industrie për të diskutuar rritjen e taksës doganore për automjetet e kalibrit të madh me karburant, masë kjo që do të godiste më shumti prodhuesit gjermanë të makinave.

Eksportet e makinave me motor mbi 2.5 litra nga Gjermania në Kinë vitin e kaluar arritën vlerën 1.2 miliardë dollarëve, sipas të dhënave nga doganat kineze.

Çfarë pritet të ndodhë pas hetimit?

Kompanitë që nuk janë të përfshira në grupet ‘BYD 002594.SZ’, ‘Geely GEELY.UL’ dhe ‘SAIC 600104.SS’ që dëshirojnë të kenë taksën e vet doganore duhet të kërkojë një “shqyrtim të përshpejtuar’ menjëherë pas fillimi të zbatimit të tarifave të reja. Një shqyrtim i tillë nuk do të zgjasë më shumë se nëntë muaj.

Komisioni po ashtu mund të bëjë një “shqyrtim të përkohshëm” pas një viti, nëse masat nuk janë më të nevojshme, apo nëse ato nuk janë të mjaftueshme për t’iu kundërvënë subvencioneve.

Komisioni shpesh shqyrton nëse prodhuesit po i shmangen detyrimeve doganore përmes eksportit të pjesëve duke e bërë montimin e makinave në një vend të tretë. Për BE-në, një shmangie e tillë ndodh nëse mbi 60 për qind e vlerës së pjesëve janë të importuara nga një vend i cili ka taksë doganore dhe nëse vlera e shtuar gjatë montimit nuk tejkalon 25 për qind të vlerës së përgjithshme.

Kompanitë mund të ankohen ndaj këtyre masave në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Kina tashmë i është drejtuar Organizatës Botërore të Tregtisë. Të dyja rrugët ligjore mund të zgjasin mbi një vit.

Komisioni është shprehur i bindur se hetimi dhe tarifat e reja janë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë./Voa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb