Artisti shqiptar, Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears ka bërë një rrëfim prekës, teksa ka folur për jetën e tij, hapat e parë në muzikë dhe domethënien e lotëve tek ai si artist.
I ftuar në “A live night”, këngëtari shqiptar ka treguar se gjithçka ka nisur me lotët e gjyshit të tij, ndërsa ai ka kënduar këngën e tij të preferuar “Can’t Help Falling In Love” të Elvis Presleyt.
Gjon është shprehur se gjyshi i tij ka qenë shtysa e tij më e madhe që të merrej me muzikë dhe ka punuar shumë që ta bëjë krenar.
“Isha interesuar për muzikë klasike dhe fillova pianon, sa kisha fillu pianon kur erdhi gjyshi me pushime në shtëpinë tonë, kisha piano elektrike dhe kisha këngën ‘Can’t Help Falling In Love’ të Elvis Presleyt, ua tha po kjo është kënga ime e preferuar edhe më tha a mund të ma këndosh. Unë në atë moment thash paska lajthit gjyshi se unë asnjëherë nuk kam këndu, ça thotë a mundet me e këndu. E mësova dhe e mësova sa më shumë këngën, e më në fund para se të shkonte në Kanada se jeton atje, ia këndova këngën dhe ai nisi të qajë. Ishte e njëjta ndjesi si me Bach. Aty kuptova vlerën dhe mundësinë e muzikës, që okay ti mund t’i prekësh njerëzit në atë mënyrë… dhe sidomos kultura e shqiptarëve dhe e Kosovës që gjyshërit normalë nuk qajnë kurrë. Kur e shikoj njeriun më të fortë të jetës sime me lot… ishin lotët shumë simbolikë dhe shumë të rëndësishme për mua. Kur krijova konceptin e Gjon’s Tears , unë gjithmonë i kam ruajtur lotët. I mbaj gjithmonë se gjyshi më ka thënë e di që do bëhesh i madh por s’do të jem këtu me të pa, prandaj kam shku me i bo të gjitha që t’i shohë ai, jam krenar dhe i bindur që ai i ka parë të gjitha gjërat, se ai ishte fillimi i gjithçkaje, pa atë s’kisha bërë fare muzikë. Unë pianon e kisha qejf, por gjyshi ma zgjodhi, unë provoja të tjera gjëra. Kam provuar karate, futboll”, ka thënë Gjoni.
Kujtojmë se Gjoni është këngëtar dhe kompozitor shqiptar, i cili ka lindur dhe ndërtuar karrierën e tij në Zvicër.
Ai arriti të përfaqësonte Zvicrën në Eurovision Song Contest 2020 me këngën ” Répondez-moi ” përpara anulimit të konkursit për shkak të pandemisë.
Artisti u përzgjodh sërish për vitin 2021 me këngën e tij ” Tout l’Univers “ dhe përfundoi në vendin e tretë me 432 pikë, renditja më e mirë për Zvicrën që nga viti 1993.