Ushtria izraelite ka kryer një valë të gjerë sulmesh ajrore kundër Hezbollahut të hënën, duke bombarduar objektivat e grupit militant në jug të Libanit, në lindje të luginës Beka dhe në rajonin verior në kufi me Sirinë.
BBC ka zbuluar dhe disa nga objektivat e Izraelit në valën e re të sulmeve që ka nisur në Liban.
Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit ka deklaruar se IDF “aktualisht është duke u fokusuar vetëm në fushatën ajrore” pasi u pyet nëse një pushtim tokësor i Libanit jugor është i pashmangshëm.
Duke folur në një konferencë për gazetarët, zyrtari përcaktoi tre synimet ushtarake për fushatën aktuale, të cilat do t’i lejonin Izraelit të arrinte qëllimin e tij për të kthyer mijëra qytetarë të zhvendosur në veri të vendit.
Zyrtari nënvizoi se Izraeli dëshiron të degradojë aftësinë e Hezbollahut për të gjuajtur raketa mbi kufi, siç ka bërë që nga 8 tetori, si dhe të largojë luftëtarët e tij nga kufiri Liban-Izrael.
Qëllimi i tretë është shkatërrimi i infrastrukturës që është ndërtuar nga forcat elitare të këmbësorisë së Hezbollahut forcat Radwan të cilat sipas zyrtarit përdoren për të sulmuar “komunitetet izraelite në veri, për të masakruar, vrarë dhe rrëmbyer civilë”.