Nëse ju ka shkuar ndërmend të pyesni veten se çfarë është trampizmi, si një shprehje e personalizimit të skajshëm të politikës dhe shtetit, atëherë më duhet t’ju them që në fillim se në thelb të tij është sharja e kundërshtarëve, dhe ajo që në gjuhën shqipe quhet “llapaqenëri”.

Por personalizmi i politikës dhe i shtetit i tejkalon fjalët dhe shprehjet frazeologjike, qoftë edhe shakatë me kripë si të Duçes. PPP-të dhe koncesionet e pothuaj gjithë aktivitetit ekonomik të vendit treguan një kokëfortësi tipike trampiste, ndërsa prishja e stadiumit të vjetër të periudhës musoliniane dhe ndërtimi në vend të tij i një kulle me stadium, trajtimi i shtetasve që largohen si turistë në kërkim të aventurës së vitit… Të gjitha këto janë aty.

Nëse vendosim prapashtesën “izëm” në fund të emrit, a e bëjmë ketë se shohim një linjë mendimi e veprimi të paravendosur, të kujdesshme e të balancuar, apo kemi të bëjmë me vendime që merren mbi bazën e instinkteve dhe impulseve të çastit, të udhëhequra nga një dëshirë populiste për të manipuluar bazën e vet që i jep një fitore të plotë tepsie?

Trampizmi atëherë, është ajo çka njeriu me pushtet beson në një moment të caktuar, një ditë të caktuar mbi një çështje të caktuar. Këtë thotë Ron Kristi, një strategjist republikan që ka punuar me Bushin e 41. Pra, është çasti që i jep pushtetarit zgjidhjen. Të nxituar, të gabuar dhe jo në interes të gjithë popullsisë. “Izmi” i shefit ka lidhje me mosrespektimin bërtitës të rregullave të shtetit, pikërisht me mosnjohjen e tij.

Mbivlerësimin e fuqive intelektuale të vetes dhe të formimit, që megjithatë mbetet i dyshimtë. Mosvlerësimi i mendimit ndryshe dhe kërcënimi i tij. Pastaj spektakli, hedhjet e batutave denigruese andej këtej dhe stigmatizimet për të ardhur turp. Një lloj sjelljeje në dehje e sipër. Tani ka ardhur momenti i jashtëzakonshëm për të bërë një pyetje të jashtëzakonshme: Çfarë i shkaktohet vendit nëse do ketë një mandat tjetër gjysmëtepsie?

*Monologu i Adi Krastës në nisje të emisionit “A show” në News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb