Rezultatet e zgjedhjeve në Moldavi dhe Gjeorgji vunë në pah mënyrat krejtësisht të ndryshme të qeverive dhe shoqërive civile të të dyja shteteve për t’i rezistuar ndërhyrjes ruse dhe elementëve të tjerë keqdashës në momentet vendimtare për të dyja vendet.
Votimet – zgjedhjet presidenciale dhe një referendum kushtetues për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të mbajtura në Moldavi dhe zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Gjeorgji – kishte një potencial për një rireshtim dramatik të orientimit gjeopolitik të dy ish-republikave sovjetike apo forcimit të kursit aktual të tyre, me sfida në rritje për të dyja shtetet ndaj preferencave të forta të publikut për integrimin të mëtejmë në BE.
Prandaj, fituesit dhe humbësit kanë rëndësi. Por, disa nga mësimet e hershme që dolën shkojnë përtej fituesve fillestarë të këtyre votimeve dhe sugjerojnë se këto zgjedhje mund të kontribuojnë në shoqëritë e tjera të përçara, përfshirë edhe disa demokraci më të pjekura dhe në vende të tjera që janë në periferi të Rusisë.
Luftimi i ndikimit rus
Zyrtarët moldavianë kishin paralajmëruar për muaj të tërë për kërcënimet nga Rusia që përfshinin dezinformimin dhe lehtësimin e pagesave të paligjshme në vlerë milionëshe për një rrjet jozyrtar kundër BE-së. Një analist, që foli me zyrtarët në Moldavi para votimeve, i citoi ata të kenë thënë: “Ne mund të ndjekim paratë”. Përderisa ata nuk mundën të ndalnin fluksin e parave nga Rusia, ata e panë gjithë këtë gjë dhe publikisht treguan se çfarë po ndodhte.
Gjeorgjia jep një mësim të një lloji tjetër. Kryeministri Irakli Kobakhidze, ka insistuar se “Rusia nuk ka ndikim në Gjeorgji”. E gjendur mes një akti balancues për të shmangur qasjen e saj proruse para publikut që është i shqetësuar nga Rusia, Ëndrra Gjeorgjiane thjesht e injoroi problemin dhe tha se votimet ishin një zgjedhje mes “luftës dhe paqes”.
Si rezultat, edhe pse presidentja Salome Zurabishvili paralajmëroi për ndërhyrjen ruse, publikut iu la në dorë që të kundërshtonte ndikimin ekonomikë të Moskës dhe mobilizimit të personave me ndikim dhe mediave proruse.
Gjeorgjianët dhe grupet e shoqërisë civile rishtazi kishin zhvilluar beteja paqësore kundër ligjit për “agjentët e huaj”, i njohur gjerësisht si “ligji rus” dhe ndaj kufizimeve të reja ndaj komunitetit LGBT. Por, ekspertët i thanë Radios Evropa e Lirë se përgatitjet në formën e “lëshimit të alarmit” dhe “ndërtimit të koalicionit” në fakt nisën shumë muaj më parë.
Integriteti dhe transparenca janë kryesore
Zyrtarët moldavianë kaluan në ofensivë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të tyre, duke forcuar institucionet dhe duke kërkuar që të mbyllnin burimet e paligjshme të trazirave potencialisht të dhunshme. Ata po ashtu shmangën sulme kibernetike dhe lajme të rreme dhe publikisht i konfrontuan ato që i konsideruan si narrativë të rremë. “Ata bënë punë të mirë duke e mbrojtur” integritetin e zgjedhjeve, tha Shelby Magid nga Qendra për Euroazinë në Këshillin e Atlantikut.
Zyrtarët e partisë në pushtet në Gjeorgji u dukën më pak të preokupuar me mundësinë e akuzave për zgjedhje jo të lira. Grupeve publike gjeorgjiane dhe shoqërisë civile iu la kjo detyrë. Pasi për më shumë se një dekadë Ëndrra Gjeorgjiane është në pushtet dhe ka dominuar skenën politike, grupe të tilla të pavarura dhe opozitare sugjeruan para zgjedhjeve se ishin më të përgatitura se në të kaluarën. Kjo përgatitje u tregua në gjëra sikurse vëzhgimi i procedurave për një kohë të gjatë, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe hapja e qendrave të thirrjes për raportimin e shkeljeve zgjedhore. “Ata i kanë bërë të gjitha”, tha Magid.
Përballja me oligarkët
Në Moldavi, zyrtarët në dy vjetët e fundit kanë luftuar kundër ndikimit të Ilan Shorit, ish-oligarkut në arrati i cili është i dënuar për një mashtrim të madh e i cili duket se është i vendosur që ta ndryshojë kursin e shtetit drejt Rusisë. Që kur e ndaloi partinë e tij vitin e kaluar, Qeveria ka mbajtur presionin ndaj tij përmes paralajmërimeve publike dhe duke folur publikisht për rrjetin e supozuar prej multimiliona dollarësh të Shorit për të organizuar kundërshtimin për anëtarësimin në BE, veç tjerash. “Kjo nuk është një çështje e vetme, është më shumë si një lojë e goditjes së nishanit – thjesht, nuk mund ta hiqni qafe Shorin”, tha Magid.
Në Gjeorgji, “elefanti në dhomë” është Bidzina Ivanishvili, themeluesi miliarder i Ëndrrës Gjeorgjiane, i cili e ka krijuar pasurinë e tij në Rusi. Rasti i tij është krejt ndryshe. Ivanishvili duket se “po e shikon interesin e vet dhe ka mendësinë e tij antidemokratike që përputhet më shumë me Rusinë”, tha Magid, duke shtuar se këto qëllime “duket se shkojnë dorë për dore, e herë të tjera jo”.
Mos e harroni diasporën
Diferenca e vogël në referendumin kushtetues për BE-në dhe pabarazia në perspektivat për Lindjen dhe Perëndimin e Kishinjevit vënë në pah rëndësinë e diasporës në zgjedhjet në Moldavi. Zyrtarët moldavianë përdorën një sërë kanalesh për të vënë në pah ndjenjën e urgjencës dhe pasojat për të mobilizuar votuesit moldavianë jashtë vendit, veçmas në Perëndim. Ky mobilizim u bë përmes mediave sociale, ngjarjeve kulturore dhe rritjes së numrit të vendvotimeve. “Vota juaj ka rëndësi dhe informacioni duhet të arrijë te ju”, tha Magid.
Zyrtarët udhëheqës në Gjeorgji – diaspora e së cilit është gjerësisht e përqendruar në Perëndim – ishin më pak të interesuar që ta shtynin diasporën që të votonte. Është e thjesht të kuptohet pse: Ëndrra Gjeorgjiane fitoi vetëm 15 për qind mbështetje nga votuesit në diasporë. Megjithatë, me opozitën e përçarë dhe me shumë alternativa në fletëvotim ndaj Ëndrrës Gjeorgjiane, kjo nuk u përkthye në një mandat të qartë./REL/