Janë mbyllur sfidat e së martës së vlefshme për xhiron e dytë të Champions Leagues në katër grupet e para, ku nuk kanë munguar surprizat dhe rezultatet befasuese. Përveç dy takimeve të orës 18:55, ku Reali barazoi në “Bernabeu” me Bryzhin dhe Atalanta u mposht në “San Siro” nga Shakhtari, janë luajtur dhe 6 sfidat e tjera për grupet A, B, C dhe D.

Psg Gallata
Psg Gallata

Në grupin A, veç sfidës Real-Byzh, është zhvilluar dhe ajo ku Paris Sën Zhërmeni mposhti 1-0 Gallatasarajin në “Turktelekom Arena” të Stambollit. Golin e fitores e realizoi argjentinasi Mauro Ikardi, që në minutën e 52-të siguroi rrjetën trepikëshe për francezët.

Zvezda
Zvezda

Në grupin B, Crvena Zvezda mposhti 3-1 Olimpiakosin, duke realizuar një përmbysje fantasike në pjesën e dytë. Grekët kaluan në epërsi me Semedon në minutën e 37-të, por dalja me karton të kuq e Benzia në të 58-ën, prishi ekulibrat dhe i dha dorë Zvezdës që me golat e Vuliç, Milunoviç dhe Boakje të mbyllë hesapet.
Ndërkohë rezultat spektakolar në Londër, ku Bajerni i Mynihut “masakron” Totenhemin me rezultatin e pabesueshëm 7-2. Son kalon në avantazh “Spursat” në të 12-ën, por Kimish e Levandovski përmbysin që në pjesën e parë, ndërsa Gnabri me një poket dhe Leva do të vulosin shtatëshen e gjermanëve. Për Totenhemin, Kejn realizoi golin e rezultatit të përkohshëm 2-4.

Siti Zagreb
Siti Zagreb

Në grupin C, Siti mposhti Dinamon e Zagrebit 2-0, por iu desh të priste deri në minutën e 66-të për të kaluar në epërsi me golin e Stërling, ndërsa në shtesë Foden futi në kasafortë tre pikët dhe kreun e grupit për të besuarit e Guardiolës, që lënë pas shpine pikërisht Dinamon dhe Shakhtarin, që pat fituar më herët me Atalantën.

Juve Leverkusen
Juve Leverkusen

Në grupin D, Juventusi shëtit në Torino me Leverkusenin, falë një Higuaini në superformë, që bën gjithçka. Fillimisht shënon në të 17-ën, pastaj asiston Bernardeskin në të 62-ën, ndërsa e vulos takimin Ronaldo, që shënoi golin e tretë në minutën e 88-të, ndonëse pati disa shanse të mira më herët. Fitore dhe për Atletikon, që në Moskë kalon Lokomotivën 2-0 me golat Zhoao Feliks dhe Tomas në pjesën e dytë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb