Uefa Champions League do të vijojë këtë të martë me raundin e 3 të Fazës së Ligës. Me formatin e ri të Champions League që po merr formë, 36 skuadrat do të vijojnë përpjekjet për të marrë maksimumin e pikëve, me qëllim ngritjen në tabelën e përgjithshme të renditjes.
Sfida më e spikatur pritet të jetë ajo e Bernabeut, ku Real Madrid do të pres Borussian e Dortmundit, me dy ish finalistët e Wembley-t që do të ri-përballen njëra me tjetrën vetëm pak muaj pas triumfit të “Los Blancos” në finale 2-0, për trofeun e tyre të 15 në histori. Dortmund nuk e mund Realin që prej vitit 2014, kur fituan 2-0 në Dortmund me dygolëshin e Reus, për fazën çerekfinale të atij sezonit. Që pas asaj ndeshje numërohen 3 fitore të madrilenëve dhe 2 barazime. Dortmund udhëheq renditjen me 6 pikë, ndërkohë që Real ka 3 pikë më pak.
Ndeshje shumë interesante do të jetë edhe ajo që do të luhet në Torino, mes Juventusit dhe Stuttgart. Skuadra bardhezi duket se po përmirësohet nga ndeshja në ndeshja dhe në Europë kanë treguar në të dyja sfidat e para se janë një skuadër me karakter që mund të bëjë mirë këtë sezon jo vetëm në Serie A.
Ndërkohë “topçinjtë” e Arsenal do të kenë ndoshta në letër sfidën më të lehtë, teksa në Emirates do të presin ukrainasit e Shakhtar Donjetsk. Arsenal i Mikel Artetës do të ketë objektiv padyshim 3 pikët, kjo edhe për të lënë pas disfatën e parë sezonale atë ndaj Bournemouth, fundjavën e kaluar.
Sfidë jetë a vdekje do të jetë edhe ajo për Milanin e Fonsekës, që vjen në këtë sfidë të së martës në përballjen ndaj Club Brugge, ku “Djalli” do të ketë objektivin e vetëm marrjen e pikëve të para në këtë sezon të ri, teksa vjen pas 2 humbjeve rradhazi në Champions.