Ka përfunduar me fitoren 2-0 të të zotëve të shtëpisë takimi i parë çerekfinal mes Liverpulit dhe Portos, përballje që u zhvillua në “Anfield Road”. Sikundër pritej, të kuqtë e udhëhequr nga Jurgen Klop arrijnë një sukses që i lejon të shkojnë më të qetë në sfidën e kthimit në “O’Dragao” të Oportos.

Golin e parë për “Reds”-at e ka realizuar Nabi Keita në minutën e pestë. Keita është shërbyer në hyrje të zonës pas një krosimi të ardhur nga e majta. Mesfushori godet fort me të djathtën, topi merr një devijim të lehtë dhe përfundon pas shpinës së portierit Iker Kasijas. 21 minuta më pas ka ardhur dhe goli i dytë për Liverpulin. Ka qenë një aksion nga e djathta e Aleksandër Arnold me këtë të fundit që harkon në shtyllën e dytë, aty ku braziliani Firmino nuk e ka aspak të vështirë për të mposhtur Kasijasin.

Deri në fund të sfidës nuk do të ketë më gola, pavarësisht rasteve të mira për shënim për të dyja ekipet.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb