Janë luajtur dy sfidat e para të vlefshme për mbrëmjen e së mërkurës të Ligës së Kampioneve, ku në fushë kanë zbritur çiftet Sllavia Pragë-Borusia Dortmund dhe Genk-Napoli.

Borusia ka arritur një fitore në transfertë duke mposhtur Sllavian e Piter Olainkën, të cilët bënë surprizën dy javë më parë me barazimin ndaj Interit në Milano. Dy gola të Akraf Hakimit, nga një për çdo pjesë loje, u kanë mjaftuar gjermanëve që të marrin fitoren e parë në grup dhe të ngjiten në kuotën e 4 pikëve, duke pritur të qetë përballjen Barcelona-Inter.

Ndërkohë ka zhgënjyer Napoli. Italianët, të cilët në ndeshjen e parë thyen kampionët e Liverpulit me rezultatin 2-0, nuk kanë shkuar më larg sesa një barazim pa gola në Belgjikë ndaj Genkut. Një ndeshje e ekulibruar kjo, që ka shpërndarë nga një pikë për secilën skuadër, me Napolin që ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Genku merr pikën e parë pas disfatës 6-2 ndaj Salcburgut.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb