Partizani përfaqësohej në Champions League të volejbollit me një ekip tërësisht të ri krahasuar me skuadrën që u shpall kampione për herë të dytë radhazi. Ambiciet e presidentit Rogert Huqi për t’u përfaqësuar denjësisht në arenën ndërkombëtare, ka bërë të mundur që në ekip të bashkohen lojtare cilësore si turkja Jeliz Basha, amerikania Kejli Mans, sllovakja Romana Hudeçova apo dhe lojtarja e përfaqësueses së Ruandës, Benitha Mukandajisenda, të cilat u janë bashkuar Nezajt, Kushit, Picakut, Gjermeni, Fagu etj.


Në stol është Nexhat Sanxhak, trajneri turk që zëvendësoi Roland Taren në detyrë dhe që së fundmi kishte drejtuar ekipin kombëtar të Kazakistanit. Në “Feti Borova”, kampionet e Shqipërisë prisnin kampionet e Bosnjes, Jedinstvo Bërçko në një sfidë që dhuroi shumë emocione.


Ekipi boshnjak u paraqit shumë mirë dhe dominoi setin e parë duke fituar thellë 25-15, teksa vajzat e drejtuara nga Sanxhak shfaqën pasiguri dhe bënë gabime të shumta. Por në setin e dytë gjërat ndryshojnë, treshja Mans-Basha-Hudeçova marrin përsipër sulmet dhe sllovakja është thjesht e papërmbajtshme me “spike”-t e saj, ndërsa turkja Basha shënon pikë vendimtare. Seti i dytë do të fitohet 25-22 nga Partizani, që vijon dominimin e tij dhe në dy setet e tjera, duke fituar me rezultat të njejtë 25-20 dhe krejt takimin me rezultatin 3-1, rezultat që mbush me shpresë kampionet e Shqipërisë për të arritur kualifikimin nër Bërçko një javë më pas. Lojtare e ndeshjes u shpall sllovakja Romana Hudeçova, e cila mahniti tifozët me nivelin e shfaqur në këtë takim.


(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb