Nga AKRI ÇIPA

Marshimi i Bardhë në Paris është fundi i bukur i një historie të trishtë. Eventi, pavarësisht

patetikës politike, shërbeu si një rikujtim për humanizmin tonë, që në këtë epokë postmoderne duket gjithmonë dhe më i vagullt. Nga ana tjetër, rrjedha e ngjarjeve që vuri në jetë makineria terroriste dhe që pati këtë marshim si epilog evidenton një problem gjithmonë dhe më shqetësues. Është një problem që vjen jo vetëm nga radikalizimi i disa segmenteve fetare të shoqërive të ndryshme, por edhe nga dështimi i shoqërive perëndimore për ta parandaluar këtë radikalizim. Disa nga komentet që pasuan sulmin në redaksinë e “Charlie Hebdo” u përqendruan në faktin që protagonistët e aktit terrorist nuk ishin të ardhur, por të rritur në Francë. Ky detaj shfaq një semantikë krejt të ndryshme të problemit të terrorizmit. Deri më sot, terrorizmi i mveshur me trajta fetare ka qenë i importuar nga jashtë. Por pjesëmarrësit në sulmin ndaj “Charlie Hebdo” ishin të rritur dhe të edukuar në Francë, në një shoqëri të hapur ndaj multikulturalizmit etnik dhe fetar. Prandaj kjo ngjarje përbën një precedent të rrezikshëm për shoqëritë liberale.

Ajo çfarë në vitin 2001 nisi nga presidenti Bush si një luftë ndaj terrorizmit të ardhur në Perëndim nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, sot rrezikon të shndërrohet në një luftë të brendshme të Perëndimit. Për sa kohë që Perëndimi dhe shoqëritë liberale nuk arrijnë të promovojnë dot qenësisht tek individët e rritur në ato shoqëri vlerat universale që qëndrojnë në themel të demokracisë liberale, atëherë problemi është edhe më i thellë nga sa mund të duket.  Pyetja të cilës duhet t’i përgjigjen gjithë politikëbërësit perëndimorë është e thjeshtë. Si është e mundur që individë të cilët janë rritur dhe edukuar në shoqëri që promovojnë të drejtat njerëzore dhe vlera universale tërhiqen sot nga formacione fetare para-shtetërore si ISIS dhe nga organizata ekstremiste si Al-Qaeda? Vala e të ashtuquajturve  xhihadistë, individë që u larguan nga Europa për të luftuar në Siri dhe në Irak përbënte thjesht një problem imazhi deri para pak ditësh. Por sot duhet bërë një reflektim i thellë, pasi ajo valë që ishte e gatshme për të luftuar në vende të huaja, sot po kthehet dhe është e gatshme ta përçojë gjendjen e luftës edhe në vendet europiane. Arsyet pas shfaqjes së xhihadistëve në Europë janë të shumta dhe të ndërlidhura. Shoqëritë perëndimore vazhdojnë të jenë ende të gangrenizuara nga margjinalizimi i disa shtresave sociale dhe ekonomike. Ky margjinalizim është lehtësisht i transformueshëm në radikalizëm. Dhe radikalizmi, dhe margjinalizimi rrezikojnë t’i ngërthejnë shoqëritë perëndimore në një rreth vicioz, që do të degradojë gjithmonë e më shumë tolerancën dhe do të rrisë vetë radikalizmin. Rrethi vicioz të cilit i referohem është një kurth strukturor në të cilin rrezikojnë të bien shoqëritë liberale. Sikurse mund të kuptohet nga ajo çfarë ndodhi në Paris, ekziston tashmë një valë radikalësh të cilët janë të vendosur në këto shoqëri. Frika nga këta radikalë mund të sjellë reagime socio-psikologjike gjithaq të frikshme: islamofobinë dhe ksenofobinë. Ekstremet e djathta në Europë nuk vonuan ta shfrytëzonin sulmin ndaj “Charlie Hebdo” për të avancuar axhendat e tyre antiemigracion. Farage i UKIP në Britani, Marine Le Pen në Francë dhe Salvini në Itali reaguan në mënyrë të njëtrajtshme, duke e përshkruar ngjarjen si “rrjedhojë e pashmangshme e politikave anarkike të emigrimit dhe e hapjes pa kriter ndaj të huajve”. Sipas retorikës së këtyre forcave politike, sulmi ndaj redaksisë së “Charlie Hebdo” nuk përbën një kërcënim ndaj të drejtave themelore të njeriut, por lexohet si një rrjedhojë socio-politike e qasjes së gabuar ndaj globalizmit dhe proceseve euro-integruese. Dhe gjasat janë që mjaft njerëz të tërhiqen nga kjo retorikë. Në rast se, sikurse ekziston mundësia, ky vizion i thjeshtëzuar i ekstremit të djathtë do të fitojë pikë, problemi veçse do të thellohet. Politikat ksenofobe do të kontribuonin veçse në rritjen e margjinalizimit të të huajve në vendet europiane dhe si rrjedhim, në rritjen e radikalëve. Prandaj dilema para të cilës gjendet sot Europa dhe të gjitha shoqëritë perëndimore është tejet e rëndësishme dhe përcaktuese për të ardhmen. Nëse terrorizmi ka si qëllim të mbjellë frikë, atëherë një terrorizëm i rritur në shtëpi është dyfish më i rrezikshëm. Por kjo nuk do të thotë se përgjigja ndaj tij duhet të jetë stepja. Përkundrazi, veçoria përcaktuese e shoqërive të hapura është aftësia për t’u përballur me problemet dhe jo për t’u bishtnuar atyre. Globalizimi dhe proceset integruese janë fenomene të pamohueshme. Ajo çfarë këshillon ekstremi i djathtë, refuzimi i këtyre fenomeneve, është mirëfilli një shmangie ndaj problemit. Ai nuk qëndron te fenomeni aq sa te mënyra për ta asimiluar atë. Deri më sot Europa dhe shoqëritë perëndimore janë treguar indiferente. “Charlie Hebdo” është një plagë nga e cila Europa nuk duhet të dalë e verbër, sikurse këshillon e djathta ekstreme, por duhet të dalë e vetëdijshme se diçka nuk shkon dhe e gatshme për të vepruar. Dhe Marshimi i Bardhë është një shenjë se vetëdija tashmë ekziston.

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb