Federico Chiesa mbetet me “valixhe në duar”, më saktë ka në dorë një biletë avioni, por destinacioni i tij mbetet ende për t’u vendosur. Është e qartë që nuk ka asnjë shans që sulmuesi “azzurr” të rikthehet në Torino, me Giuntolin dhe menaxherin e tij që po bëjnë gjithçka për t’i gjetur një sistemim sa më të shpejtë.

Dëshira e Chiesa-s është të transferohet te Barcelona, por klubi blaugrana e ka shumë të vështirë t’i bëjë hapësira, vijon të ketë shumë probleme me bilancet financiare. Përballë një fakti të tillë, Giuntoli dhe menaxheri i tij Ramadani janë takuar me drejtues të Liverpool duke i ofruar shërbimet e Chiesa-s. Liverpool dhe Juventus kanë gjetur një akord në parim, 15 milionë euro për kartonin dhe 5 të tjera pagë për lojtarin.

Juve kërkon të lirohet sa më shpejt nga Chiesa për t’i dhuruar Thiago Motta-s dhe një blerje të fundit, Jadon Sancho. “Zonja e Vjetër” ka gjetur prej kohësh akordin me sulmuesin anglez, por problem është konkurrenca e lartë, pasi Sancho është një opsion shumë i pëlqyer për disa klube si Chelsea apo dhe vetë Liverpool.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb