Elseid Hysaj është gati për sfidën e parë të Champions League, që do ta shohë Napolin e tij përballë kampionëve në fuqi, anglezëve të Liverpulit. Në 90 minutëshin që do të luhet në “San Paolo”, kapiteni i Shqipërisë, autor i një goli të mrekullueshëm me fanelën kuqezi ndaj Islandës, flet për “AFP” në lidhje me takimin e nesërm.

“Edhe vitin që shkoi, të gjithë prisnin që Liverpuli të fitonte grupin, por për fat të keq u eliminuam, edhe pse meritonim të kalonim(Napoli u eliminua nga Liverpuli vetëm me numër golash). Luajtëm ndaj tyre dhe treguam se ishim një ekip i fortë. Është e qartë se do jetë një ndeshje e vështirë, si gjithë të tjerat. Duhet të japim maksimumin ndaj tyre. Duhet të japësh 100%, kur je në 100%, e di që do të jetë një ndeshje e mirë për ty dhe një ndeshje e vështirë për kundërshtarin tënd”.

“Duhet të jemi të qetë në fushë, dhe të bëjmë lojën tonë. Më pas, do shohim si shkojnë gjërat. Mendoj se cilësia kryesore e Napolit është loja që bën, loja që ofrojmë në çdo ndeshje, duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të mendojmë se ne jemi Napoli dhe mund të konkurrojmë ndaj çdo skuadre në botë”.

“Liverpuli është një nga ekipet më të forta. jo ka fituar Ligën e Kampioneve ndaj duhet të respektojmë këtë skuadër, atë çfarë ka fituar, lojtarët që ka. Por nga ana jonë nuk mund të harrojmë se kush jemi, se jemi Napoli dhe se në sezonin e kaluar ne mundëm këtë skuadër që fitoi Ligën e Kampioneve. Nuk do vijnë në Napoli për të luajtur të qetë, edhe ata e dinë që do e kenë të vështirë. Është e vërtetë që është përgjegjësi e madhe të luash ndaj futbollistëve aq të fortë sa Salah, Firmino, Mane e Van Dajk. Por është gjithashtu një mundësi për ne që të tregojmë cilësitë tona”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb