Në “Dalga Arena” të Bakusë luhet takimi mes Karabagut vendës dhe Partizanit, sfidë e vlefshme për turin e parë eliminator të Champions League. Të kuqtë e kryeqytetit kërkojnë një kualifikim në një transfertë të vështirë, ndërsa rezultati i sfidës së parë në “Selman Stërmasi”, lë gjithçka të hapur për këtë përballje.

Pjesa e parë e sfidës në “Dalga Arena” ka përfunduar me rrjeta të paprekura, me skuadrat që patën mundësi me “pikatore”. Azerët kanë krijuar rastin më të mirë në minutën e 18-të, kur Zubir me kokë nuk gjen kuadratin e Alban Hoxhës. Kampionët e Shqipërisë u kundërpërgjigjën në minutën e 27-të, kur predha e Cinarit devijohet me vështirësi nga Vagner në këndore. Ndeshja deri më tani, është fotokopje e 90 minutëshit të Tiranës, me të kuqtë të disiplinuar në prapavijë dhe azerët që vuajnë të gjejnë hapësira.

Por në pjesën e dytë, mbrojtja e Partizanit nuk ka arritur të mbulojë lëvizjen e zgjuar të Ozobiç, që në minutën e 51-të i shmanget mbrojtjes së kuqe dhe i vetëm në qendër të zonës realizon golin e epërsisë. Por pavarësisht golit të disavantazhit, të kuqtë vijojnë të qëndrojnë në prapavijë, për të synuar mrekullinë në minutat e fundit. Në minutën e 74-ët Solomon shpërdoron në mënyrë të pabesueshme golin e barazimit. Të kuqtë hidhen në sulm dhe me mendjen të përqëndruar në zonën e Vagnerit, lënë hapësira pas dhe ndëshkohen nga Kuintana pas një kundërsulmi në minutën e 94-ët. Kështu merr fund aventura e Partizanit në Champions League në këtë edicion, por jo në Kupat e Europës, pasi kampionët zbresin në Europa League, aty ku i pret Sherifi i Tiraspolit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb