NGA RUDINA HOXHA
TIRANE- Christian Spahr, drejtori i Programit të Medias për Europën Juglindore në fondacionin “Konrad Adenauer Stiftung”, ishte në Shqipëri së fundmi së bashku me ekspertë ndërkombëtarë të medias nga Ballkani dhe Gjermania për të diskutuar për raportimin rreth të shkuarës si dhe përgjegjësitë e medias dhe politikës.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Spahr shpjegon se me anë të debateve të tilla si ky që u organizua së fundmi edhe në Tiranë, qëllimi është të nënvizohet se raportimi i pavarur mbi të shkuarën është një çështje e rëndësishme dhe ende temë e ditës.
“Duke organizuar një debat të tillë, ne do të dëshironim të bënim pyetje rreth rolit të gazetarëve në këtë proces. Ne gjithashtu do të donim të flisnim për marrëdhënien midis gazetarisë dhe politikës në rajon dhe se çfarë mund të bëhet, me qëllim që të mësohet me të vërtetë nga e kaluara dhe jo thjesht të bëhet një debat plot kundërshti”, thotë Spahr. Ai beson fort se pranimi i së shkuarës është një çështje jo vetëm në dorë të politikës, por edhe të shoqërisë.
“Nëse qytetarët deklarojnë se janë të interesuar se çfarë ka ndodhur në të shkuarën, politikanët duhet të reagojnë. Nëse qytetarët presin nga gazetat, stacionet e televizioneve, gazetarët online e të tjerë për t’i diskutuar këto çështje, gazetarët do ta ndjejnë gjithashtu nevojën e pasjes së debateve të tilla”, shton ai. Sipas tij, “Konrad Adenauer Stiftung” po punon për të trajnuar një brez të ri gazetarësh, që do të jenë të aftë të bëjnë një raportim të pavarur në një të ardhme.
Sa e rëndësishme ishte konferenca që “Konrad Adenauer Stiftung” organizoi në Tiranë së fundmi rreth temës së pranimit të së shkuarës?
Ne do të dëshironim të kontribuonim për rritjen e ndërgjegjësimit publik rreth kësaj çështjeje. Konferenca që ne organizuam në Tiranë me një panel publik, ishte në nivel ekspertësh, pikërisht në kuadrin e 15 ekspertëve ndërkombëtarë nga Ballkani dhe Gjermania. Ne krijuam një task-forcë me ekspertë të medias dhe ekspertë të vetërregullimit në Europën Juglindore. Ata takohen rregullisht në vende të ndryshme të rajonit. Zakonisht ne diskutojmë iniciativa që kanë të bëjnë me legjislacionin e medias si dhe punën e këshillave të shtypit. Në këtë kontekst, ne debatojmë për çështjen e pranimit të së shkuarës. Grupi i punës po diskuton se si mund të kontribuojnë institucionet e lidhura me legjislacionin e medias dhe ato të vetërregullimit ndaj kësaj çështjeje.
Media është shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për krijimin e një debati në shoqëri sa u përket eksperiencave tona me të shkuarën. Në Europën Juglindore, kjo do të thotë dy gjëra: së pari, nënkupton periudhën komuniste, por gjithashtu, në vendet ish-Jugosllavisë kjo do të thotë të pranosh eksperiencat e luftës. Në Europën Juglindore, shqyrtimi i së shkuarës është ende temë e ditës. Përfundimisht gazetarët luajnë një rol të madh nëse vjen puna për të mësuar nga eksperiencat historike. Raportimi i pavarur mbi të shkuarën është një çështje e rëndësishme dhe duke organizuar një debat të tillë, ne do të dëshironim të bënim pyetje rreth rolit të gazetarëve në këtë proces. Ne gjithashtu, do të donim të flisnim për marrëdhënien midis gazetarisë dhe politikës në rajon dhe se çfarë mund të bëhet, me qëllim që të mësohet me të vërtetë nga e kaluara dhe jo thjesht të bëhet një debat plot kundërshti.
Sa optimist jeni lidhur me debate të tilla kur shumë nga vendet e rajonit janë të vetëdijshme se më së shumti kjo çështje është në dorë të politikës?
Këto çështje janë në dorë të politikës deri në një farë mase, për shembull kur vjen puna tek aksesi ndaj informacionit apo ligjeve të lustracionit. Ligjvënësit vendosin se çfarë do të bëhet transparente dhe çfarë jo. Por, nga ana tjetër, besoj se në një shkallë të lartë, kjo çështje është në dorë të shoqërisë. Nëse qytetarët deklarojnë se janë të interesuar se çfarë ka ndodhur në të shkuarën, politikanët duhet të reagojnë. Nëse qytetarët presin nga gazetat, stacionet e televizioneve, gazetarët online e të tjerë për t’i diskutuar këto çështje, gazetarët do ta ndjejnë gjithashtu nevojën e pasjes së debateve të tilla. Në këtë aspekt, shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm. Vetëm duke ditur se çfarë ka ndodhur në të shkuarën, ne mund të vendosim prioritetet e duhura për të ardhmen.
Sa kuptim ka të flasësh për hapje dosjesh kur sistemi i drejtësisë në Shqipëri po bën një betejë jetë a vdekje me korrupsionin?
Gjithmonë ka nevojë për teorinë dhe praktikën. Patjetër që kemi nevojë për instrumente ligjore për të hedhur dritë mbi të shkuarën. Nga ana tjetër, duhet të vendoset teoria në praktikë. Një sistem i pavarur drejtësie është një element i rëndësishëm në këtë aspekt. Në çdo vend të Europës Juglindore, situata është pak ndryshe. Nëse hedhim një sy në rajon , përmirësime do të ndodhin hap pas hapi në pavarësinë e sistemit të drejtësisë – këtë e tregon eksperienca nga proceset e mëparshme të pranimit në BE. Përveç Programit për Median nga ana e Fondacionit, ne gjithashtu kemi edhe një program mbi sundimin e ligjit, i cili është një iniciativë rajonale që përfshin 10 vende të rajonit. Programi e ka bazën në Bukuresht dhe konsultohet me qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile lidhur me këtë çështje.
A është fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung” duke përgatitur një brez të ri gazetarësh në Shqipëri dhe në rajon, të cilët do të jenë të aftë të raportojnë si duhet rreth çështjes sensitive të hapjes së dosjeve?
Ne po japim mbështetjen tonë për gazetarët e rinj në aspektin e trajnimeve. Për shembull, një nga aktivitetet tona në rajon është një shkollë vere mbi Etikën e Medias. Për herë të parë, verën e shkuar, ne ftuam 20 gazetarë nga 10 vende për të mësuar rreth bazave të raportimit etik, për standardet ndërkombëtare dhe vendimet personale. Këto aspekte janë shumë të rëndësishme për brezin e ri të gazetarëve. Gjithashtu, ne mbështesin trajnimet në fushën e raportimit investigativ, sepse ne besojmë se do të krijojë më shumë transparencë në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Nëse brezi i ri i gazetarëve do të bëhet i përkushtuar më shumë ndaj përgjegjësisë dhe raportimit të pavarur, ata do të jenë të aftë të ndryshojnë zakonet në sektorin e medias. Por, ata duhet të jenë të durueshëm. Nuk është e mundur të ndryshosh praktikat në 1 apo 2 vite. Megjithatë, jam optimist se ata do të sjellin ide të reja dhe ndryshime në sektorin e medias, kur të marrin postet e kryeredaktorëve apo drejtuesve.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)