“Nga humbje të tilla mund të mësojmë shumë”, kështu u shpreh Simone Inzaghi pas derbit kundër Milan. Në Riad, dolën në pah disa të vërteta, fakt është që Inzaghi ka në dispozicion një grup të mirë, por stoli po kthehet në një shqetësim më vete pasi lojtarë si Frattesi apo Asllani nuk po arrijnë të ngrihen në nivelin e titullarëve. La Gazzetta dello Sport, në analizën e sajë, shkruan se derbi ishte shansi i fundit për Kristjan Asllanin, një shans i djegur nga mesfushori kuqezi, duke e bërë të sigurt largimin e tij në fund të sezonit:
“Ciao Kristjan”, shkruan La Gazzetta duke vijuar më pas me analizën e saj. Merkato troket për Asllanin, për të loja mbaron në fund të këtij sezoni, pasi të gjithë bonuset kanë përfunduar. Është e vërtetë se kur përpara ke një lojtar si Calhanoglu nuk të mbeten shumë përveç disa thërrimeve, por rastet duhen shfrytëzuar në maksimum.
Në Riad, diferenca mes titullarëve dhe zëvendësuesve ishte shumë e madhe, në këtë rast Calha-Asllani. Ndryshe nga dy vitet e fundit, këtë herë Asllani ka pasur më shumë shanse, me turkun që shesh është dëmtuar ose është ruajtur nga Inzaghi, por thuajse në asnjë rast Asllani nuk e ka justifikuar pozicionin e tij, dukshëm nën presion nga kjo fanellë e rëndë.
Në verë, mbyll shkrimin La Gazzetta, Asllani bën mirë të shoh për të tjerë opsione. Për fat të mirë, mesfushori kuqezi ka shumë admirues, jo vetëm në Serie A, ku e ndjekin prej kohësh ekipe si Bologna, apo Fiorentina, por edhe jashtë Italisë ka ekipe që e shohin si një opsion të rëndësishëm për të ardhmen, ndërsa Interit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të gjejë një zëvendësues tjetër për Calhanoglu.
(BalkanWeb)