Shqipëria është në rrugën e mbarë për t’u kualifikuar në Euro 2024. Mjafton një pikë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për të hapur shampanjën, për herë të dytë në historinë e vendit. Skuadra është mjaft e karikuar në prag të takimeve me Moldavinë jashtë dhe Ishujt Faroe, në shtëpi. Ish-lojtari i Kombëtares, Altin Rraklli ka dhënë një intervistë ekskluzive për News 24 në Sport News, në emisionin e moderuar nga Trevisa Tufa, ku ka folur për përfaqësuesen.

Altin, në bisedën e fundit, ishim live nga Praga, jo vetëm ishit i bindur që nuk humbisnim përballë Çekisë, por gjetet dhe rezultatin në kokë, 1-1. Tani jemi sy e veshë për të dëgjuar parashikimin e radhës. Si del sfida me Moldavinë?

Ashtu rastisi, pasi unë nuk shquhem për gjetje të rezultateve. Unë, duke u nisur nga përformanca e skuadrës, jam besimplotë. Do jetë ndeshja më e vështirë, ndoshta më e vështirë se Çekia. Moldavia është një ekip kompakt në mbrojtje, shumë e vështirë t’i shënosh. Po them 0-1 ose 0-2, nuk pësojmë gola atje.

Askush nuk bën llogari, as Sylvinho e as lojtarët nuk futen në fushë për “X”, do na mjaftonte dhe një barazim. Çfarë tregon ky detaj?

Është në rregull ajo që thotë trajneri, nuk mund të bësh llogari. 90 minuta janë shumë dhe mund të pësosh gol. Siç sulmove në Çeki, bëj të njëjtën gjë edhe këtë herë. Në momentin që ti shënon, loja do jetë më e rrjedhshme. Trajneri ka të drejtë.

Rraklli, po të shohësh listën e lojtarëve kemi tetë sulmues, reparti me më shumë lojtarë. A ka ndryshuar tashmë filozofia e Kombëtares? A jemi tashmë në një realitet të ri?

Nuk ka ndodhur ndonjë që në listë të ketë më shumë sulmues se mesfushor. Sylvinho e ka bërë diçka të tillë. Merita i takon atij. Kemi sulmues me tipare mesfushori. Asani në rastin konkret, ai kthehet mbrapa shumë. Broja? Janë situata të brendshme. Në aspektin e përgjithshëm, një lojtar i tillë nuk duhet të lihet jashtë. Uroj të jetë sicc thonë. Një përjashtim përfundimtar nuk do ishte e drejtë dhe nuk do ishte diçka e zgjuar. Nëse do isha trajner, do e kisha grumbulluar.

Në sytë e një ish lojtari, që e di se si funksionon dhoma e zhveshjes. Është vendim teknik, apo nuk preferon të prish harmoninë në dhomat e zhveshjes. Nga ana tjetër, si ndikon kjo te një lojtar si Broja që futet në fushë kundër Man.City dhe fiton menjëherë penallti. Ndërkohë, trajneri i Kombëtares e kursen…

Janë probleme të brendshme. Nëse Broja ka kërkuar të luajë me patjetër, vendimi i trajnerit është normal pasi askush nuk mund të vendosë kushte. Ndeshjet e bëra deri më tani janë zhvilluar pa Brojën. Nëse janë probleme që kanë të bëjnë me dëmtimin, apo diçka tjetër, nuk e dijmë. Duhet të besojmë atë që thotë trajneri.

-Sa të vështirë do ta ketë Sylvinho të përpilojë listën për në “Euro2024”, jo vetëm Broja, por mungoi edhe Marvin Çuni, ndërkohë ka dhe tetë sulmues të tjerë, dikë është i detyruar të lë jashtë…

Na duhet një pikë akoma. Një lojtar për shembull që ka kontribuar në shumë minuta gjatë kualifikueseve, normal që do grumbullohet.

Dua të ndalem edhe te një detaj tjetër. Sylvinho nuk ndryshon kurrë në lidhje me qendrën e sulmit. I beson verbërisht Cikalleshit, por Çika është i vetmi sulmues që nuk ka shënuar asnjë gol në këto kualifikuese. Pse insiston Sylvinho në këtë pikë, çfarë sheh ai? A duhet të provojë diçka ndryshe në këto dy sfidat të fundit?

Silvinho është trajner i ri, nuk i njihte emrat. I çmontoi lojtarët, duke u marrë më të mirën dhe duke parë te ata, atë që mund të bëjnë në fushë. Cikalleshi është një lojtar që rrezikon, por bën mirë edhe kur kthehet mbrapa. Nuk ka shënuar, por ka punuar shumë. Me këto rezultate, trajneri ka të drejtë me lëvizjet e bëra.

Në këto 6 ndeshje besoj e kemi krijuar të gjithë një ide shumë të qartë mbi këtë ekip. Në këndvështrimin tënd, ku mund të përmirësohemi akoma më shumë. Çfarë mund të bëjmë më mirë?

Nuk e di, duke u nisur nga ndeshjet e fundit, ka ardhur në maksimumin e vet. Çdo gjë ka funksionuar në mënyrë perfekte. Nuk pësojmë dhe nuk lejmë hapësira, kjo është baza.

Kthehemi pak te sfidat me Moldavinë, çfarë ndeshje pret? Është një rival që na sjell fat, por nuk kanë humbur kurrë në shtëpinë e tyre.

Ndeshja më e vështirë, u duhet patjetër fitorja. Ata do lenë hapësira mbrapa, pa diskutim. Nuk e di nëse do jetë gati Moldavia të përballojë presionin. Ne nuk e kemi presionin e madh.

E nisëm me parashikim e mbyllim me parashikim, me sa pikë e mbyllim këto kualifikuese? Jemi në kuotën e 13 pikëve.

Do thyejmë rekord, e mbyllim me 19 pikë.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb