Ta gjesh se cila gjuhë flitet më shumë në një vend është shumë e lehtë duke qenë se mund të jetë edhe gjuha zyrtare e atij shteti.

Por, gjuha e dytë më e folur në një vend jo gjithmonë është e lehtë për t’u gjetur. Sidomos në disa vende. Universiteti “Olivet Nazarene” ka krijuar një grafik të mrekullueshëm interaktiv që ju mundëson të gjeni se cila është gjuha e dytë më e folur në shumicën prej shteteve të botës. Këto të dhëna, siç raporton “BusinessInsider”, janë nxjerrë nga “World Factbook” i CIA-s.

Duke analizuar gjuhën e dytë më të folur në një vend mund të zbulojmë shumë për historinë e atij vendi apo edhe rajonit përreth. Për shembull, Algjeria, Tanzania dhe Tunizia që të gjitha gjuhën e dytë më të folur kanë frëngjishten meqë ato kanë qenë koloni të Francës.

Interesant është edhe fakti tjetër se në Shqipëri, përveç gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë më e folur rezulton të jetë greqishtja.

Fatkeqësisht, hartuesit e kësaj grafike, Kosovën e kanë futur përbrenda kufijve të Serbisë, për të cilën nuk kanë ofruar të dhëna në lidhje me gjuhën e dytë më të folur.

Në Bosnje e Hercegovinë, gjuha e dytë më e folur është kroatishtja, në Mal të Zi serbishtja sikurse edhe në Kroaci, ndërsa në Maqedoni dominon shqipja.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: