Zotimi i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të sjellë ndryshime në qeverinë amerikane, nënkupton edhe reformimin e njërës prej agjencive kryesore të zbatimit të ligjit dhe zbulimit në vend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës për Sigurinë Kombëtare, Jeff Seldin i hedh një vështrim të emëremrit që zoti Trump e përzgjodhi për ta drejtuar dhe reformuar Byronë Federale të Hetimeve (FBI).
Ky njoftim befasoi shumë njerëz. Drejtori i FBI-së Christopher Ëray u tha punonjësve të agjencisë se do të dorëhiqet, kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën. “Është rruga më e mirë për të shmangur problemet. Ajo që absolutisht nuk mund të ndryshojë, është angazhimi ynë për ta bërë gjënë e duhur, në mënyrën e duhur, çdo herë”, tha ai. Por, ndryshimet po vijnë. Kash Patel – i përzgjedhur nga zoti Trump për ta drejtuar FBI-në para se zoti Ëray të njoftonte planet për t’i dhënë fund para kohe mandatit të tij 10-vjeçar, u takua me ligjvënësit për të ndihmuar konfirmimin e tij.
44 vjeçari Patel është një ish avokat publik dhe prokuror federal, që punoi si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe në Pentagon gjatë mandatit të parë të zotit Trump. “Mendoj se Trumpi e pëlqen atë për mendimet e tij, që përputhen me ato të Presidentit Trump, për abuzimet në Departamentin e Drejtësisë, sidomos FBI-së dhe hetimeve aty ku nuk është dashur”, thotë John Fortier nga Instituti amerikan Enterprise.
Diçka që zoti Patel e ka thënë hapur. “Jam i nderuar që jam këtu, në mbështetje të Donald Trumpit. Ai është viktimë, por ne si vend jemi viktimë edhe më e madhe nga shndërrimi antikushtetues i drejtësisë në një armë”, tha ai. Zoti Patel ka zemëruar kundërshtarët me deklaratat për mbyllje të selisë së byrosë në Uashington, reduktim të kompetencave vëzhguese të FBI-së dhe shkurtim të përmasave të operacioneve të zbulimit të agjencisë.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për asgjësimin e sistemit të ashutuquajtur ‘deep state’ dhe në librin e tij të vitit 2023 me titull ‘Gangsterët e qeverisë’ ai përmend 60 zyrtarë që nuk janë pajtuar me zotin Trump. “Disa ndryshime ai mund t’i bëjë vetë ose pas disa ndryshimeve në personel. Por, nëse ai vërtet synon ndryshime të mëdha, duhet më shumë punë nga ekzekutivi dhe legjislativi, pra duhet më shumë kohë dhe angazhim jo vetëm nga ai”, thotë analisti Fortier.
Kash Patel, sipas zotit Trump, është njeriu i duhur që të paktën t’i nisë këto ndryshime./Voa/