Arrestohet Kostandini që grabiti bankën në Vlorë, ja dosja e krimeve. Në kërkim shoku i tij, i dënuar me kusht*


VLORË- Një muaj pas grabitjes së një banke të nivelit të dytë në qytetin e Vlorës, policia ka zbuluar autorët dhe ka arrestuar një prej tyre. Ndërsa është shpallur në kërkim tjetri.


Shërbimet e Policisë së Vlorës gjatë hetimeve intensive në lidhje me ngjarjen, kanë bërë identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit:
– Kostandinos Shakaj, 37 vjeç, lindur në fshatin Kotë, banues në fshatin Vajzë, Vlorë.


Ndërsa shpallet në kërkim shtetasi:
– G. Gj., 36 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi i shtetasit Kostandinos Shakaj, u krye pasi në bashkëpunim me shtetasin G.Gj, më datë 10.07.2016, kanë vjedhur automjetin tip “Benz-Mercedes-2500” me targë të huaj 435AJL06, mjet të cilin e kanë përdorur për të kryer vjedhjen e bankës së nivelit të dytë në Vlorë më 11 korrik.
Në videon e publikuar nga policia, autorët shfaqen në 3 momente.
Në momentin e parë është 37-vjeçari Shakaj duke vjedhur makinën një ditë para grabitjes. (Makina që përdorën autorët për vjedhjen)
Në momentin e dytë është autori i shpallur në kërkim që është futur në bankë dhe në momentin e tretë është arrestimi i 37-vjeçarit Shakaj.


Shakaj, është person me precedent penal të mëparshëm. Policia vijon hetimet për zbulimin e autorëve të tjerë të implikuar në lidhje me ngjarjen.

KUSH JANË DY GRABITËSIT E BANKËS NË VLORË
Sakaq policia ka bërë me dije se i arrestuari Kostandinos Shakaj ka qenë i shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale që nga grabitja me dhunë e armë, dhuna në familje e deri tek tentativa për vrasje. Ndërsa personi tjeter që kru grabitjen me të, shtetasi me iniciale G.GJ mësohet të jetë dënuar 18 muaj me kusht për kundërshtimin e një punonjësi të policisë. Në kohën që kryente këtë dënim ai ka kryer grabitjen e bankës.

Kostandinos SHAKAJ (i arrestuari)
Më datë 10.12.2012, ka qenë shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”
Më datë 17.07.2013, ka qenë shpallur në kërkim për “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

Ngjarje e ndodhur në kryeqytetin grek Athinë, ku nën kërcënimin e armës së zjarrit ka vjedhur automjetin e një shqiptari tjetër, vepër penale për të cilën Gjykata e Tiranës më datë 04.05.2016, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”

Me date 14.02.2014, është akuzuar për “Vrasje të mbetur në tentativë” të një punonjësi policie në shtetin grek dhe “Vjedhje me armë”.

Në periudhën 24.02.2015 – 30.10.2015, ka qenë dënuar me 8 muaj burg për “Dhunë në familje” (dhunë fizike ndaj bashkëshortes).

G. GJ. (në kërkim)
Më datë 07.03.2012, ka qenë shpallur në kërkim dhe më pas është proceduar në gjendje të lirë për vepren penale “Shkatërrim prone me zjarr” (për djegien e disa materialeve të një lokali në Radhimë)

Më datë 23.01.2016, është arrestuar në flagrancë për “Kundërshtimin e punonjësit të policisë” dhe është dënuar me kusht më 18-muaj. Pra në kohën që gjykata e ka nxjerrë me kusht, ai bën grabitjen disa muaj më vonë.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb