TIRANE- Eni Vasili tashmë do të jetë në transmetim edhe ditën e enjte me emisionin e saj “Studio e Hapur”, krahas ditës së hënë dhe të martë. Në një intervistë për Panorama Plus, ajo i është përgjigjur disa pyetjeve rreth emisionit e jo vetëm.

Në intervistën e pak ditëve më parë te “Panorama plus”, Fevziu pohoi se në gazetari ka mjaft gjobvënës. Ju, a jeni pjesë e këtij grupi dhe nëse jo, për kë mund ta ketë pasur?
Gjobat vihen që dikush të marrë në këmbim diçka që i duhet dhe që nuk i takon. Unë nuk disponoj asgjë të tillë në jetën time. Do vazhdoj të paguaj kredinë për shtëpinë dhe kjo nuk më shqetëson aspak, edhe pse habit disa kolegë. Unë nuk e di për kë e ka pasur Fevziu, por di të them që këta lloj gazetarësh, nuk e kanë rrugëtimin e gjatë. Duken interesantë fillimisht për pronarët e televizioneve, por, më pas, edhe këta të fundit e kuptojnë se nuk iu duhet një biznes brenda biznesit të tyre.

Do të ishte një shërbim i madh për opinionin publik, të na ndihmonit të kuptojmë se si mund ta dallojmë një gazetar gjobvënës nga një i ndershëm?
Lakmuesi i vetëm për këtë është publiku. Ai i seleksionon mjaft mirë dhe në fund vendos kë duhet të besojë.

Gazetari gjobvënës, zakonisht, çfarë bën me lekët e gjobave, ku i investon, keni ndonjë informacion?
Nese më pyet a jam dakord me vetingun e gazetarëve, do të thoja jam absolutisht dakord.

Një editorial i dy ditëve më parë, ku ju flisnit për fenomenin e korrupsionit në gazetari, u sulmua nga disa kolegët tuaj, duke e quajtur mungesë etike dhe sulme personale, ndërkohë për të njëjtin fenomen foli edhe Fevziu, por për atë nuk u tha e njëjta gjë. Si mendoni, pse iu dogji kur e thatë ju?
Nuk e kam lexuar këtë që po thoni, por nuk çuditem. Njihen tashmë aleancat mes burrave në profesionin tonë, prandaj dhe ka kaq pak femra në programet politike. Por mua nuk më impresionojnë fare, vazhdoj punën time dhe kujdesem vetëm për profesionalizmin, jo për klanet e këtij lloji.
Burimi: http://www.panorama.com.al/panoramaplus/cili-gazetar-vendos-gjoba-eni-vasili-duhet-vetting-disa-marrin-miliona-une-ende-paguaj-kredine-e-shtepise/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: